​Befason Maldini: Klubi nuk më tregoi asgjë rreth Superligës

Drejtori teknik i Milanit Paolo Maldini ka zbuluar se ai nuk ishte përfshirë në diskutimet në lidhje me Superligën Evropiane.

“Rossonerët” ishin një nga tre klubet e Serie A që njoftuan se ishin bashkuar në garën e re të krijuar nga 12 klube të mëdha evropiane më 18 Prill, por drejtori i Milanit Maldini u kërkoi falje tifozëve, duke thënë se ai nuk dinte asgjë për këtë.

“Unë dua të specifikoj që nuk isha i përfshirë në diskutimet në lidhje me Superligën,” tha Maldini për “Sky Sport Italia”.

“Kam marrë vesh për këtë të dielën në mbrëmje, pas deklaratës së përbashkët nga klubet e tjera. Kjo padyshim që ishte vendosur në një nivel më të lartë në klub sesa pozicioni im. Ndihesha paksa i hutuar.”

“Kjo nuk më përjashton mua që të marr përgjegjësinë për t’u kërkuar falje tifozëve, jo vetëm tifozëve të Milanit, por në përgjithësi tifozëve të futbollit, të cilët ndiheshin të tradhtuar nga parimet e sportit që ne si Milano gjithmonë i kemi respektuar.”, shtoi më tutje Maldini.

“Është diçka që unë ndiej nevojën ta them. Natyrisht, drejtori i një klubi të madh në vitin 2021 e di se të ardhurat janë të rëndësishme, se qëndrueshmëria është e rëndësishme. Pra, duhet të pyesim veten nëse mund të mësojmë nga kjo situatë, a mund të mësojmë se ku mund ta shtyjmë veten?.”

“Ne sigurisht që nuk mund t’i kalojmë vlerat e sportit dhe të meritokracisë, të cilat janë bërë nga ëndrrat e të gjithëve.”, tha në fund ish-qendërmbrojtësi i Milanit.