BEFASI: Drita barazon me Drenicën, Besa mposht Feronikelin

Kampionia në fuqi, Drita, është ndalur në barazim në Gjilan nga skuadra vizitore e Drenicës. Besa në Pejë që është thuajse jashtë Superligës për edicionin e ardhshëm, mposhti Feronikelin e drejtuar nga Klodian Duro.

Drita barazoi 1:1 me Drenicën, ndërsa Besa mposhti Feronikelin, 2:1.

Drita ishte e para që kaloi në epërsi në minutën e 29-të nëpërmjet gjuajtjes së fuqishme e të saktë të Bujar Shabanit. Tre minuta para fundit të pjesës së parë, Baton Zabërgja i asistuar nga Kreshnik Uka, barazoi rezultatin në 1:1, që në fund doli të jetë përfundimtar i duelit të xhiros së 26-të që u zhvillua të shtunën.

Nga ana tjetër, pejanët e drejtuar nga trajneri Leotrim Krasniqi, fituan falë dy shënimeve të Ardit Tahirit, në minutën e 15-të dhe të 39-të. Golin e vetëm për ekipin nga Drenasi e realizoi Marko Simonovski.

Pas 26 xhirove, Drita ka 55 pikë dhe është lidere, ndërsa Drenica është në vendin e parafundit me 27 pikë. Feronikeli mbetet në vendin e gjashtë me 31 pikë, kurse Besa e fundit, me fitoren e dytë të sezonit, ka 10 pikë gjithsej.

Prapa Dritës janë Ballkani dhe Prishtina që kanë 52, respektivisht 50 pikë të tubuara, por me nga një ndeshje më pak të zhvilluar.