Bedri Istrefi konfirmon akuzat e Thaçit: Kurti, Sveçla e Abazi shkuan në dhomën e përgjimeve në Telekom dhe u ndalen kamerat

Ish-kryeshefi i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi ka thënë se deklarata e presidentit Thaçi se Kurti, Sveçla e Abazi kanë shkuar në dhomën e përgjimeve në Telekom është e saktë.

Në një intervistë për Klan Kosovën, Istrefi ka thënë se kryeministri, zëvëndëskryeministri dhe ministri kanë shkuar në dhomën e përgjimeve të PTK-së dhe janë ndalur kamerat e vizitës.

Tutje Istrefi theksoi se ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike Xhelal Sveçla dhe zëvendëskryeministri në detyrë Haki Abazi, ishin futur jashtëligjshëm në dhomën e përgjimeve.

Sipas tij këto janë të dhëna sensitive me anë të cilave mund të shantazhohen njerëzit.

“Asnjëherë deri më tani në dhomën e përgjimeve nuk është futur asnjë ministër i Brendshëm. Sipas informatave që kam ministri i Brendshëm është futur në dhomën e përgjimeve. Sipas informatave ka pasur një takim me drejtoreshën e përkohshme”.

“Kjo sanksionohet me ligj dhe është vepër penale. Në këtë dhomë japet sinjali tek organet e sigurisë: Policia dhe AKI. Këto të dhëna janë sensitive. Unë kurrë deri më sot nuk kam pasur qasje në këtë dhomë”.

“Atë ditë fatkeqësisht nuk kanë punuar kamerat.Përgjimi i njerëzve pa bazë ligjore është e ndëshkueshme.Ka mundësi që të merren të dhëna të caktuara që nëpërmjet një USB sepse është softëer dhe ka mundësi të shantazhohen njerëzit”.