Ish presidenti i Bayernit, Franz Beckenbauer, shpreson se në të ardhmen do ta ketë mundësinë ta shohë Jurgen Kloppin e Liverpoolit në karrigen e trajnerit të kampionit në fuqi gjerman.

Kloppi dhe Liverpooli e eliminuan dje gjigantin gjerman nga Liga e Kampionëve, duke siguruar fitore me rezultat 3:1 në Allianz Arena. Ndeshja e parë mes dy skuadrave përfundoi me barazim pa gola.

Trajneri gjerman Klopp ka arritur ta kthejë Liverpoolin në formën më të mirë, që kur u emërua në pozitën e trajnerit në vitin 2015. Ai e drejtoi skuadrën e tij deri në finale të sezonit të kaluar të Ligës së Kampionëve dhe këtë sezon është duke garuar për titull të Premierligës.

Ai është treguar i suksesshëm edhe në vendlindjen e tij, pasi e kishte fituar dy herë titullin e Bundesligës gjatë kohës sa ishte trajner i Dortmundit. Ndërsa, pastaj ishte radhitur për dy sezone radhazi në vendin e dytë, pas Bayernit.

Dhe Beckenbauer beson se ai do të përshtatej shumë mirë në klubin më të madh gjerman.

“Jurgen Klopp në FC Bayern. Kjo do të ishte gjëja më e mirë e mundshme. Jurgeni i mësoi gjermanët të luajnë futboll të shpejtë”, ka thënë Beckenbauer kur u pyet për mundësinë e emërimit të Kloppit si trajner i Bayernit.