Zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE) Peter Stano tha se qëndrimi i BE-së, Komisionit Evropian dhe Shërbimit të Politikës së Jashtme është shumë i qartë. “Tashmë është theksuar si reagim ndaj raportit paraprak të ODHIR-it më 19 dhjetor, ku kemi shprehur shqetësime të caktuara”, theksoi Stano.

“Tani pas publikimit të gjithë raportit, sigurisht që po e kemi parasysh. Kjo konfirmon mesazhet tona të qarta të theksuara në njoftimin e 19 dhjetorit. Procesi zgjedhor në Serbi kërkon progres të prekshëm dhe reforma të mëtejshme, sepse funksionimi i duhur i institucioneve demokratike serbe është në bazë të procesit të pranimit të Serbisë dhe ne jemi shumë të vetëdijshëm për qëndrimin e Parlamentit Evropian. Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me Parlamentin Evropian, si dhe me autoritetet serbe, për t’i ndihmuar ata të eliminojnë të gjitha parregullsitë dhe të gjitha burimet e shqetësimit për komunitetin evropian. Nuk do të hyj në detajet dhe afatet kohore të përgjigjeve tona ndaj Parlamentit Evropian, por është diçka që ne e marrim shumë seriozisht dhe punojmë me partnerët tanë për të adresuar të gjitha këto çështje”, tha Stano, transmeton Ballkani.info.

Ai tha se pret që të gjitha raportet e besueshme të ndiqen në mënyrë transparente, duke filluar nga institucionet kompetente kombëtare.

“Kjo përfshin akuzat që kanë të bëjnë me zgjedhjet lokale në Beograd në veçanti, por edhe në komunat e tjera. Ne jemi të gatshëm të ofrojmë mbështetje për zbatimin e të gjitha rekomandimeve të ODHIR-it, përfshirë ato çështje që janë me rëndësi jetike për publikun në Serbi, popullin e Serbisë, si dhe besimin e tyre në procesin zgjedhor sepse Serbia pret më shumë zgjedhje, kështu që është e rëndësishme të trajtohet gjithçka që theksohet në raportin e ODIHR. Dhe edhe një herë: Ne jemi të gatshëm të mbështesim autoritetet serbe në adresimin e të gjitha këtyre problemeve”, përfundoi Stano. /Ballkani.info/