Zgjedhjet në veri

BE-ja e SHBA-ja s’e zbardhin rrugën e zgjedhur nga Qeveria për zgjedhjet në veri

Një ditë para miratimit të udhëzimit administrativ, i cili synohet që të vihet në test për t’i larguar kryetarët shqiptarë nga komunat veriore nëpërmjet peticionit, zyrtarë të BE-së dhe ata të SHBA-së nuk kanë treguar nëse e mbështesin rrugën që ka zgjedhur Qeveria në Kosovë për zgjedhjet e reja në veriun e banuar kryesisht me serbë. Ndonëse Beogradi zyrtar ende nuk ka treguar nëse do t’i rekomandojë serbët që t’u përgjigjen zgjedhjeve, njohës të zhvillimeve thonë se Serbia është bindur se tentativa për të sabotuar procesin nuk do të ketë sukses.

As nga Bashkimi Evropian dhe as nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ende nuk janë zbardhur qëndrime lidhur me rrugën që ka zgjedhur Qeveria në Kosovë rreth mbajtjes së zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, të banuara kryesisht me serbë.

Në prag të miratimit të udhëzimit nga Qeveria e Kosovës, në BE nuk kanë treguar nëse peticioni për largimin e kryetarëve në veri mund të konsiderohet si garancë që serbët t’u përgjigjen zgjedhjeve të reja, të kërkuara nga faktori ndërkombëtar. E, në ambasadën amerikane në Prishtinë jozyrtarisht kanë thënë se “për momentin nuk kanë asgjë për të ofruar”.

Qeveria ka premtuar që ta miratojë më 1 shtator udhëzimin administrativ për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarit të komunës. Referuar procedurave të përcaktuara, serbëve do t’u duhet që të dalin dy herë në zgjedhje, njëherë për t’i larguar kryetarët aktuale e më pas edhe për t’i zgjedhur përfaqësuesit e tyre.

Inicimin e kërkesës për largimin e kryetarit të komunës, sipas udhëzimit, mund ta bëjë secili qytetar apo grup qytetarësh me të drejtë vote në komunën përkatëse. Në rast se konstatohet që kërkesa është mbështetur nga së paku njëzet për qind (20%) e votuesve të regjistruar, atëherë organizohet votimi për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni.

E neni 5 e përcakton mbledhjen, dorëzimin dhe verifikimin e nënshkrimeve.

“1. Iniciativa qytetare më së largu tridhjetë (30) ditë nga pajisja me dokumentacionin e nevojshëm, duhet të mbledhë numrin e kërkuar të nënshkrimeve. 2. Nënshkrimet mblidhen në format fizik. Për nevoja dhe lehtësim të administrimit, iniciativa qytetare mund të krijojë një regjistër elektronik të qytetarëve nënshkrues. 3. Pas përfundimit të mbledhjes së nënshkrimeve, përfaqësuesi i autorizuar përmes nënshkrimit të të gjithë anëtarëve, në fund vërteton saktësinë e të dhënave të nënshkruesve”, thotë ky nen.

Ndërkaq Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), në përputhje me legjislacionin në fuqi e verifikon listën e nënshkrimeve për të cilën pas verifikimit, njofton kryesuesin e kuvendit komunal dhe Ministrinë me vlerësimin përfundimtar.

Zgjedhjet e reja janë rezultat i dakordimit të arritur në Bratislavë midis zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi dhe emisarit evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, për masat shtensionuese në veri.

Kjo çështje ka qenë temë diskutimi edhe në takimin që kongresisti amerikan, Mike Turner, ka pasur të enjten në Prishtinë me presidenten, Vjosa Osmani.

“Në raport me situatën në veri të vendit, Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova ka bërë hapa përmbajtjesor në shtensionimin e situatës dhe se vazhdon të jetë palë konstruktive në këtë proces. Por, ka theksuar obstruksionet e Serbisë, si dhe veprimet destabilizuese në veriun e Kosovës nëpërmjet bandave kriminale të dirigjuara nga Beogradi. Ajo ripotencoi rëndësinë e zbatimit të plotë të të gjitha detyrimeve që dalin nga Marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i Ohrit”, thuhet në komunikatën e presidencës së Kosovës.

Një ditë para Prishtinës, kongresisti republikan Turner ka qëndruar për vizitë në Beograd. Nga Serbia, ai ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara, së bashku me partnerët evropianë, po punojnë për të gjetur një zgjidhje për çështjen e Kosovës.

Turner ka theksuar se SHBA-ja i mbështet përpjekjet që kontribuojnë në zgjidhe të qëndrueshme dhe në ecjen përpara drejt normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë. Në këtë drejtim, Truner i ka ofruar mbështetje Bashkimit Evropian si lehtësues në këtë proces. I pyetur nëse i beson kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në këtë proces, ai është përgjigjur se “kredibiliteti fitohet me veprime dhe se ka disa prej tyre që duhet të përmbushen”.

Diplomati amerikan është pyetur edhe për atë nëse SHBA-ja do t’i shfrytëzojë mekanizmat e saj për ta detyruar Prishtinën që ta zbatojë marrëveshjen për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Gjëja më e rëndësishme është që bashkësia ndërkombëtare të punojë së bashku, si BE-ja ashtu edhe SHBA-ja, dhe partnerët tanë të gjejnë një zgjidhje së bashku. Kjo është ajo që Amerika do të vazhdojë të bëjë. Rruga ime këtu nuk ka të bëjë me Kosovën. Mënyra ime ka të bëjë me rajonin”, ka thënë Turner për RTS-in e Serbisë.

Pavarësisht se Serbia nuk ka dhënë sinjale se i mbështet zgjedhjet e reja në veri nëpërmjet peticionit, analisti Demush Shasha beson që të gjitha palët janë dakord për një proces të ri zgjedhor.

“Unë besoj se të gjitha palët janë dakord në një pikë, që zgjedhjet duhet të mbahen dhe normaliteti politik në veri të kthehet. Dhe kjo të bëhet pa kushtëzime. Në këtë sens edhe duhet ta lexojmë konstruktivitetin e palëve, as pala serbe, as ne nuk kemi ndërmarrë ndonjë veprim përshkallëzues në veri. Të dyja palët muajt e fundit kanë treguar konstruktivitet. Rrjedhimisht besoj se Serbia nuk do të pengojë procesin zgjedhor dhe do ta mbështesë atë, sepse e ka parë që tentativa për të sabotuar gjithë sistemin demokratik në veri, nuk do të ketë sukses”, ka thënë Shasha.

Ai ka shtuar se qoftë me dorëheqje të kryetarëve apo me peticion, procesi nuk do të marrë shumë kohë.

“Diskutimet rreth dy rrugëve – e para kur kryetarët japin dorëheqje, e dyta shkarkohen përmes peticionit të qytetarëve, nuk i shoh si pengesë për të bërë progres në dialog. Nëse ka vullnet politik zgjedhja e njërës prej këtyre dy rrugëve nuk është ndonjë telashe apo problem, sepse nuk po flasim për një shtyrje prej një viti. Po flasim për dy muaj që nuk është ndonjë problem në kuptimin e synimit të cilin palët dëshirojnë të arrijnë e që është normalizimi i gjendjes në veri. Ne tashmë i kemi humbur 6-7 muaj”, ka potencuar Shasha.

Pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan e Zubin-Potok, të cilat u bojkotuan nga shumica serbe, komuniteti ndërkombëtar e bëri përgjegjëse Kosovën për tensionet që u rikthyen pas vendosjes së kryetarëve shqiptarë në objektet komunale që deri para 23 prillit menaxhoheshin nga Lista Serbe.

Tensionet më të mëdha ishin në Zveçan, ku turma e protestuesve të dhunshëm la të plagosur rreth 30 pjesëtarë të KFOR-it. Sulme pati edhe ndaj Policisë së Kosovës dhe gazetarëve.

Për rikthimin e normalitetit, BE-ja dhe SHBA-ja kërkuan që Kosova t’i tërheq njësitë policore përreth objekteve komunale dhe që kryetarët t’i ushtrojnë mandatet e tyre jashtë ndërtesave komunale. Dy prej kryetarëve, të cilët janë nga radhët e Partisë Demokratike (PDK), detyrat po i ushtrojnë në zyre alternative. I vetmi që është mbyllur në objektin komunal që prej 29 majit është kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetimi, nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV).

Qeveria e Kosovës insiston se konform deklaratës së 3 qershorit në Bratislavë janë përmbushur të gjithë hapat. Ato përfshijnë reduktimin në masën prej 25 për qind të policëve përreth objekteve komunale, vlerësimin e situatës së sigurisë në veri bashkë me KFOR-in dhe EULEX-in, si dhe deklarimin pro organizimit të zgjedhjeve në veri, pas verës.

Pavarësisht dakordimit, BE-ja ende nuk ia ka hequr masat sanksionuese Kosovës, të cilat ishin vendosur pas tensioneve në veri.