BE e zhgënjyer me disa deputetë të Kuvendit të Kosovës, shkak Kodi Civil

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog shpreson që Kodi Civil të procedohet sa më shpejt në Kuvendin e Kosovës dhe të diskutohet në mënyrë serioze.

Szunyogu në një intervistë për KosovaPress u shpreh i zhgënjyer për mënyrën se si ky Kod u trajtua në Kuvendin e Kosovës, i cili nuk mori mbështetjen e ligjvënësve kosovar në lexim të parë.

“Ne jemi mjaft të zhgënjyer nga mënyra sesi është trajtuar në tentimin e parë që të kalojë në Parlament, shpresojmë që ky ligj, ky kod të shkojë në Parlament sa më shpejt që është e mundur dhe të diskutohet seriozisht dhe të miratohet. Kodi civil është me siguri pjesa e legjislacionit e detyra me radhë më e rëndësishme pas Kushtetutës, është një tekst që i ka diku 1500 nene të cilat lidhen me të gjitha aktivitetet civile të qytetarëve të shtetit. Kjo i ndryshon çështjet që janë të rëndësishme lidhur me trashëgimin, pronësinë. Unë nuk e kuptoj se pse kjo nuk mund të bëhet dhe të avancohet më shpejt. Mendoj që kjo duhet të bëhet sa më shpejt që është e mundur”, thotë ai.

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog thotë se ekziston vullneti politik për luftën kundër korrupsionit por shton se duan të shohin rritje të numrit të aktiviteteve të policisë dhe ato të pasohen nga numër më i lartë i ndjekjeve penale.

Në një intervistë për KosovaPress, ai thotë se duhet të ketë më shumë dënime dhe konfiskim të aseteve të fituara përmes veprës penale.

“Vullneti politik ekziston, ende do të dëshironim të shohim dhe po ashtu edhe po shohim numër të rritjes së aktiviteteve të policisë si dhe të agjencive të tjera të zbatimit të ligjit, por çka do të dëshironim të shohim edhe më shumë është që këto aktivitete dhe këto veprime të policisë të ndiqen me numër më të lartë të ndjekjeve penale po ashtu edhe dënime të kryesve të veprave po ashtu edhe konfiskimi i aseteve që janë fituar përmes veprës penale. Prandaj mendoj që trendi është i mirë, është pozitiv por do të dëshironim të shihnim më shumë prej dënimeve përfundimtare dhe po ashtu konfiskim përfundimtar të aseteve”, thotë ai.

Lidhur me procesin e vetingut, i cili në Raportin e progresit të vitit të kaluar nuk u mbështet, shefi i Zyrës së BE-së në Kosovës thotë se raporti i këtij viti është pozitiv për këtë çështje pasi kanë marr garanci se do t’i implementojnë rekomandimet e dala nga Komisioni i Venecias për këtë proces.

Ai ka insistuar që instrumentet aktuale për performancë të gjyqtarëve e prokurorëve të përdoren më shpesh.

“Mendoj se teksti është mjaft pozitiv në këtë fushë për shkak të dy gjërave njëra është sepse Qeveria e Kosovës është pajtuar dhe ka vendosur që të kërkojë opinion e Venecias gjë që është ofruar dhe mendoj se është mjaft mendim i rëndësishëm dhe së dyti, për shkak se kemi garanci nga Ministria e Drejtësisë dhe nga e tërë qeveria që Kosova do t’i implementojë rekomandimet e Komisionit të Venecias. Prandaj, për ne mesazhi kryesor është që ne po japim mesazhin se nëse bëhet në pajtueshmëri me mendimin e Komisionit të Venecias atëherë është diçka që Komisioni i Venecias është organizatë ndërkombëtare dhe i vendos standardet më të larta në Evropë në tërë BE-në dhe nga kjo perspektivë i shohim zhvillime pozitive. Po ashtu, po themi se ende mendojmë se ka nevojë që mjetet ekzistuese të cilat tashmë i kemi në sistem pra kontrollet e integritetit, kontrollet e performancës po ashtu të cilësisë si dhe elemente të tjera nuk po përdoren mjaftueshëm. Prandaj, do të dëshironim të shohim instrumentet aktuale të cilat janë pjesë e sistemit që të përdoren më shpesh dhe në mënyrë më efikase dhe mendoj se kjo është diçka që jemi të gatshëm të ndihmojmë, jemi të gatshëm”, tha ai.

Në mars të këtij viti deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk e miratuan Projek Kodin Civil, i cili parasheh mundësinë e bashkëjetesës së partnerëve të së njëjtës gjini, transmeton Anadolu Agency (AA).

Nga gjithsej 120 deputetë të Kuvendit të Kosovës, vetëm 77 deputetë ishin të pranishëm në sallë. Prej tyre, në votim morën pjesë 61 deputetë, nga të cilët 28 votuan “Për”, 29 ishin “Kundër” dhe 4 abstenuan.

Duke folur për nenin 1138 të Kodit Civil, ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu tha se është dhënë mundësia që personat e të njëjtës gjini të regjistrohen si shoqëri civile, por se Kodi nuk i rregullon kushtet dhe procedurën, por vetëm në mënyrë pozitive thekson se kjo mund të rregullohet me ligj të veçantë.

Kundër Kodit të propozuar votuan edhe disa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet. Një prej tyre ishte deputetja Labinotë Demi-Murtezi, e cila tha se ishte kundër lejimit të bashkimeve të së njëjtës gjini. Ajo tha se beson se morali publik duhet të mbrohet.

“Çdo shtet flet vetë se cila është masa e moralit shoqëror në atë shtet. Standardi i moralit shoqëror në vendin tonë dikton që vetëm martesa mes gjinive të kundërta është e pranueshme. Çdo marrëdhënie jashtë këtij kombinimi konsiderohet shthurje dhe degjenerim moral”, tha ajo.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka reaguar ndaj fjalës së saj duke kërkuar që të mos përdoret ky diskurs, duke thënë se shprehje të tilla janë të padrejta.

“Të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të mbrohen nga diskriminimi dhe paragjykimet. Ndaj, mendoj se nëse përdorim terma si ‘shfrenim’, ‘degjenerim moral’ dhe ‘sëmundje’ në diskursin tonë për personat që kanë orientime të ndryshme seksuale ndaj nesh, mendoj se është e padrejtë dhe jam kundër këtij diskursi”, tha Konjufca.

Kreu i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në opozitë, Besnik Tahiri, dhe deputeti Erxhan Galushi, në emër të Grupit Multietnik, kanë shprehur qëndrimet e tyre kundër këtij versioni të Projekt-Kodit Civil.

Deputetja e komunitetit boshnjak, Duda Balje, ishte kundër lejimit të regjistrimit të bashkimeve të së njëjtës gjini, duke thënë se kjo po bëhet vetëm për shkak të integrimit në Bashkimin Evropian. Sipas saj, kjo është në kundërshtim me traditën dhe kulturën e familjeve kosovare.

Deputeti i partisë opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës, Driton Selmanaj, pyeti nëse qeveria ka nisur procedurat për një ligj të posaçëm për martesat e së njëjtës gjini.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, iu drejtua deputetëve, duke thënë se Kodi Civil nuk i rregullon martesat mes personave të së njëjtës gjini, por vetëm u mundëson atyre bashkëjetesën.

“Pra, Kodi nuk mjafton. Kjo është plotësisht në përputhje me Kushtetutën e cila nuk lejon asnjë diskriminim, përfshirë këtu edhe diskriminimin gjinor. Duhet të theksoj gjithashtu se Kodi nuk rregullon martesat mes të njëjtës gjini. Kjo ndryshon nga shoqëria civile e regjistruar sepse kjo e fundit mundëson vetëm bashkëjetesë, e jo forma të tjera të funksionit familjar”, ​ theksoi kryeministri Kurti.

Kryetarja e grupit më të madh parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, tha se Kosova asnjëherë nuk ka pasur Projekt-Kod Civil dhe se drafti i paraqitur përmbante 1630 nene. Ajo theksoi se është dokumenti më i rëndësishëm pas Kushtetutës, i cili rregullon dhe promovon segmente të ndryshme të jetës, si barazia para ligjit, të drejtat e njeriut, çështjet pronësore, transaksionet ekonomike, kontratat, marrëdhëniet familjare, të drejtat e fëmijëve dhe trashëgimia.