Shefi ekzekutiv i Bayernit, Karl Heinz Rummenigge ka insistuar se klubi bavarez nuk do të ngutet në marrjen e vendimit për të aktivizuar opsionin e blerjes përfundimtare të James Rodriguezit.
Kolumbiani është në sezonin e tij të fundit të huazimit dy vjeçar nga Real Madridi, ndërsa James raportohet se e dëshiron rikthimin në “Santiago Bernabeu”.
“Në marrëveshjen tonë kemi një opsion të cilin mund ta përdorim deri më 15 qershor të vitit 2019. Jemi në nëntor kështu që nuk besoj se ka kuptim ta diskutojmë këtë gjë tani. Unë i bashkohem mendimit që James zhvilloi një sezon të mirë vitin e kaluar. Me sa e mbaj në mend ai ishte njëri prej 4 lojtarëve më të mirë që i kemi pasur. Në ndeshjen në udhëtim ndaj Real Madridit në gjysmëfinale edicionin e kaluar, kur e shënoi golin e barazimit 2-2, i gjithë stadium e duartrokiti”, theksoi Rummenigge.
James ka zhvilluar 11 paraqitje këtë stinor ndërsa Bayerni po e vuan formën e dobët në Bundesliga derisa renditet në vendin e 5-të me 7 pikë më pak se lideri, Borussia Dortmund.







