Një raportim i revistës gjermane “Der Spiegel” që pretendon se Bayerni tentoi të formonte ligën e ashtuquajtur “Super League” është mohuar nga klubi bavarez.
“Der Spiegel” e ka bazuar këtë ide në dokumentet që janë siguruar nga informatorët e faqes “Football Leaks”.
Revista gjermane shkruajti se Bayerni dhe kryetari Rummenigge ishin iniciatorët kryesorë për formimin e kësaj lige që do të përfshinte skuadra si United, City, Chelsea, Arsenal, Liverpool, Real Madrid dhe Barcelona në mesin 11 skuadrave që mësohet se kishin arritur marrëveshje.
Kjo ligë do dëmtonte shumë aktivitetin më të rëndësishëm europian të futbollit për klube, Champions Leaguen.
Sidoqoftë Bayerni dhe Rummenigge i kanë mohuar akuzat e përfshirjes së tyre në këtë rast.
“Unë absolutisht e mohoj këtë akuzë. FC Bayern nuk është në dijeni të ashtuquajturës “Super League” dhe nuk ka qenë pjesë e bisedimeve për një gjë të tillë. FC Bayern poashtu nuk e di arsyen e përfshirjes në këtë listë publikuar në “Der Spiegel”, mbyllet komunikata e klubit gjerman.
“Der Spiegel” shkruan se Rummenigge e ka shfrytëzuar pozitën e tij si kryetar i Shoqatës së Klubeve Europiane për të kërkuar reforma nga UEFA në mënyrë që të rriten përfitimet për klubet e pasura, akuza këto që gjithashtu janë mohuar nga ish lojtari i Bayernit.







