Bayerni po përgatitet për një revolucion në merkaton e verës, ku disa yje kanë përgatitur valixhet si Arjen Robben, por ndoshta edhe Lewandowski, ndërsa pritet të afrohen futbollistë të tjerë të motivuar për të fituar trofe të rëndësishëm.

Në këtë mënyrë, pasi siguroi shërbimet e Benjamin Pavard, klubi bavarez duket se ka mbyllur një tjetër marrëveshje. Lucas Hernadnez nga korriku do të jetë një futbollist i “Die Roten”, të paktën këtë raporton e përditshmja e njohur gjermane “Bild”.

Francezi aktualisht është pjesë e Atletico Madridit, klub ku u formua profesionalisht. Kampionët e Gjermanisë provuan ta afronin futbollistin që në merkaton dimërore, por klauzola e kontratës së tij prej 80 milionë eurosh u konsiderua e ekzagjeruar nga drejteusit gjermanë, në një kohë që edhe 23-vjeçari dëshironte ta mbyllte këtë edicion tek “rojiblancot”. Gjithnjë sipas “Bild”, në merkaton e verës operacioni do të mbyllet dhe Hernandez do të veshë fanellën e klubit më të titulluar në Gjermani.

Ndërkohë që Bayerni kërkon të konkretizojë edhe afrime të tjera, ku në listë janë Timo Werner i Leipzigut, talenti 19-vjeçar i Leverkusen Kai Havertz dhe 18-vjeçari i Chelseat Callum Hudson-Obi.