Batatina tregon çfarë taktika përdori për ta mposhtur Feronikelin

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, i ka zbuluar taktikat që i përdori për ta mposhtur kampionin në fuqi të Kosovës, Feronikelin, në ndeshjen e vlefshme për xhiron e tetë të Ipko Superligës së Kosovës.

Përballja mes dy klubeve favorite për titullin e kampionit këtë sezon përfundoi me disfatë të vendasit Feronikeli, që pësoi humbje 1:2 nga Llapi.

Golin e parë për mysafirët e shënoi Mentor Zhdrella në minutën e 41-të të ndeshjes, kur me një lëvizje brenda zonës kundërshtare e gjeti veten të vetëm përballë portierit kundërshtar, të cilin e mposhti lehtësisht.

Megjithatë, Feronikeli nuk u dorëzua dhe në minutën e 81-të të ndeshjes e gjeti golin e barazimit. Mevlan Zeka shënoi me kokë, pas një harkimi të mirë të Yll Hoxhës nga një rivënie këndore.

Por, Llapi arriti të kalojë sërish në epërsi, në minutën e 90+2’ të ndeshjes, përmes Mërgim Pefqelit.

“Kur luan kundër kampionit është gjithmonë e vështirë. Jemi mobilizuar për këtë ndeshje të luajmë maksimalisht, të shënojmë një gol në pjesën e parë dhe komplet pjesa e dytë ishte taktizimit të shënoninim golin e dytë dhe të dilnim shpejtë në ofanziv”, ka deklaruar Batatina për Supersport Kosovën.

“I kam kushtuar shumë rëndësi Kastriot Rexhës, të cilin e kemi mbuluar mirë dhe i përgëzoj futbollistët e mi. Në pjesën e dytë gjithmonë kemi luajtur me tri pasime dhe kemi dalë shpejtë në ofanziv”.

“Atmosfera është e jashtëzakonshme në skuadër dhe mendoj që e meritojmë këtë fitore sidomos ndaj Feronikelit. Unë mendoj që Llapi ka luajtur mirë në ofanziv. Mund të them se është viti i parë që Llapi ka mbrojtje të mirë. Sebino Plaku, Mërgim Pefqeli dhe Mentor Zhdrellën nuk kam çfarë t’i mësoj, vetëm duhet t’i vendosi mirë taktikisht”.

Tre pikët e fituara nga kjo ndeshje bëjnë që Llapi të ngrihet në pozitën e parë në tabelën e Superligës, me 17 pikë të grumbulluara nga tetë ndeshjet e para (pesë fitore, dy barazime dhe një humbje) – dy pikë më shumë sesa Feronikeli.

Kjo humbje e Feronikelit vjen pas tri fitoreve radhazi, mirëpo është e treta herë në këtë sezon të ri të Superligës së Kosovës që një kundërshtar po arrin ta mposhtë skuadrën e Dejan Vukicevicit.

loading…