Batatina krenar me Llapin evropian pas fitores në finalen e Kupës: E bëra historinë!

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina është ndarë i kënaqur me triumfin e ekipit të tij në finalen e Kupës së Kosovës.

Llapi e mposhti në finalen e luajtur në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, skuadrën e Dukagjinit pas penalltive pasi koha e rregullt dhe vazhdimet përfunduan pa gola.

Pas ndeshjes, trajneri Batatina ka thënë se ndihet krenar që e ka shkruar historinë duke e fituar trofeun e parë në historinë e skuadrës së Llapit

“Mendoj është një emocion i papërshkruar për shkak se shumë gjenerata kanë sakrifikuar te Llapi tashmë 89 vite. Trimat i përcjellë fati dhe i bën të shkruajnë historinë. Jam krenar që jam trajneri i parë që i sjellë trofeun Podujevës. Të gjithë qytetarëve të Llapit do të festojmë bashkërisht, ky është vetëm fillimi pasi rruga e Llapit sapo ka filluar. Po e trasojë rrugën e shumë legjendave të Llapit”, është shprehur Batatina.

“Nuk jam dorëzuar asnjëherë, kam insistuar ta fitoj kupën. E bëra historinë pasi e fitova trofeun e parë, e shkrova historinë dhe trofetë tjerë më nuk janë interesant për mua. Jam i nderuar dhe krenar që e arrita këtë sukses historik. Të gjithë do të festojmë sepse nuk ishte lehtë për shkak se kishim përballë një kundërshtar që nuk ka luajtur futboll por më shumë e ka vonuar lojën. Me rëndësi është ëndrra ime, të gjithë nuk kanë besuar se do ta bëjë Llapin evropian tashmë këtë e arrita dhe jam jashtëzakonisht i lumtur”.