KF Llapi

Batatina: Kemi ekip të mirë, ky do të jetë viti i Llapit

 Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, ka thënë se nuk e shqetëson disfata nga Ballkani.

Ai theksoi pas ndeshjes se Llapi është paraqitur mirë në humbjen 2:1 nga Ballkani në Suharekë dhe se diferencën e bëri cilësia individuale.

“Jam i kënaqur me luftën e pakompromis që bëmë deri në fund. Pavarësisht disfatës, gjatë rrugëtimit e kemi ditur se do të mposhtemi. Nuk më brengos që humbim. Në pjesën e parë u bë diferenca individuale. Gripshi bëri diferencën. Taktikisht, Ballkani nuk kishte asnjë shans për të bërë gol. Në pjesën e dytë, ndryshova vendosjen taktike. Pranuam një gol nga pakujdesia. Po të ishim pak më të vëmendshëm, do të mund ta realizonim edhe golin e barazimit. Llapi ka krijuar skuadër të mirë, cilësore. Mungesa e Hamdi Namanit dhe Ergyn Ahmetit janë mungesa të mëdha. Edhe Valmir Veliu është pjesë e jona. Shpresoj që ai të jetë i gatshëm për ndeshjen e radhës. Djemtë dhanë maksimumin. Ballkani u fut në 20-metërshin e fundit, por neve na mungoi qetësia. Sivjet do të jetë viti jonë, viti i Llapit, sepse kemi super skuadër”, tha fillimisht për “ArtMotion” trajneri Batatina.

“Kemi qenë të kujdesshëm për të ardhur deri te finalizimi. Nga minuta e 70-të e kemi ditur se Ballkani nuk mund ta mbajë ritmin e lojës për shkak të ngarkesës. E humb freskinë. Pakujdesia te goli i dytë na penalizoi. Nga minuta e 70-të, gjithçka është luajtur në zonën e Ballkanit. Ne mendojmë për ndeshjen e radhës. Kemi potencial për të luftuar me Ballkanin deri në fund”, tha Batatina.