Batatina: Janë grumbulluar më shumë se 30 nënshkrime për largim të Ademit

Sipas drejtorit sportiv të klubit të futbollit Llapi, Tahir Batatina, më shumë se 30 nënshkrime të delegatëve të Kuvendit të Federatës së Futbollit të Kosovës janë grumbulluar me qëllim të shkarkimit të kryetarit të FFK-së, Agim Ademi.

Në “Sportin Total” në KTV, Batatina ka thënë se ndarja e mjeteve për të drejtat financiare, siç ka thënë FFK-ja, për Prishtinën pak para ndeshjes me Llapin në Superligë dhe polemikat me djalin e legjendës Fadil Vokrri kanë shtyrë delegatët të kërkojnë shkarkimin e Ademit nga pozita e të parit në FFK.

Megjithatë, sipas tij, për të mos e prishur kampionatin, klubet kanë menduar që të pritet në përmirësim të situatës, por “nëse delegatët nuk i besojnë raportit financiar, mund të vazhdohet tutje me kërkesën”.

“Janë mbi 30 nënshkrime. Kemi qenë edhe te kryetari. Për hir të kampionatit, duke e ditë që jemi pranuar vonë në instanca të larta, e për hir të garave, mos ta prishim garën, kemi vendosur të presim. Më së shumti dëmtohemi ne të tri klubet lidere. Shihni shembullin, në Shqipëri u prish kampionati. Është ndal si proces në mënyrë që të mos prishet kampionati. Pas kampionatit, mbahet kuvendi me delegatë e ata e kanë detyrë të marrin masa”, ka thënë Batatina.

Ai ka kritikuar Ademin edhe për ikjen e djalit të Fadil Vokrrit, Gramozit nga FFK-ja. Ademi kishte thënë se i kanë ofruar disa pozita Gramoz Vokrrit, por ai ishte larguar duke kërkuar pozitën e drejtorit gjeneral. Në anën tjetër, vetë Vokrri kishte thënë se është larguar pasi ka parë keqpërdorimet në FFK.

“Kemi diskutuar për pozicionin e tij. Po të kisha pozicionin e Ademit edhe karrigen e të parit do ta liroja për Gramozin për hir të kontributit të legjendës. Për kontributin e Fadilit është dashur të jetë vend i posaçëm për Gramozin. Kam qenë pjesë e ndërmjetësimit. Pse të mos jetë Gramoz Vokrri që i din katër gjuhë e ka kryer shkollë në Francë”, ka thënë më tej Batatina.

Ai ka thënë se kërkesa për shkarkim të Ademit mund të kërkohet edhe në mbledhjen e ardhshme të Kuvendit të FFK-së, në fund ët muajit mars.