Batatina ia lë fajin Sokolit për krizën te Llapi

Drejtori sportiv i Llapit, Tahir Batatina, ia ka lënë fajin ish-trajnerit të kësaj skuadre, Bylbyl Sokoli, për krizën në klub.

Së fundmi nga ky klub u shkarkua Sokoli, ndërsa më pas dha dorëheqje edhe kryetari i klubit, Nexhat Dumnica si dhe shumë aksionarë të Llapit.

Tani Batatina, ish-trajner në këtë klub, ka thënë se ndryshimet erdhën pas krizës që krijoi Sokoli.

“Skuadra e Llapit ka bërë disa ndryshime në organizim dhe në brendësinë e saj sepse nuk kalonte çaste të mira, ishte në një krizë shumë të madhe dhe një frymë e zymtë në brendësinë e saj. Këtë ia krijoi ish-trajneri, filloi ta destabilizojë skuadrën, kështu lojtarët filluan duke humbur besimin për fitore dhe trofe. Ne kemi investuar shumë në lojtarë por jo-profesionalizmi bëri që gjashtë lojtar të mbeten jashtë fushës së gjelbër si pasojë e lëndimeve dhe punës jo-profesionale. Ndryshimet ishin të domosdoshme në aspektin profesional sepse humbte i gjithë mundi disavjeçar për të luftuar për trofe. Natyrisht ndryshimet në kryesi nuk ishin të mirëseardhura, por këto gjëra ndodhin, ne do të gjejmë forcë për të ecur përpara me kokën lart sepse kontribuojmë për qytetin dhe të rinjtë llapjanë”, ka shkruar Batatina në Facebook duke shtuar se investitorët nga Zvicra dhe Gjermania do të jenë shtylla kryesore në financim të klubit.

Pas nëntë ndeshjeve deri tash në këtë sezon, Llapi ka 16 pikë dhe është në pozitën e tretë në tabelën e Superligës.