Basistit të Red Hot Chili Peppers nuk i pëlqen të fotografohet me fansat

Flea, basisti i “Red Hot Chili Peppers”, e ka treguar arsyen posë nuk i pëlqen të fotografohet me fansat. Ai ka thënë se kjo më shumë i ngjan më një ‘transaksion’ sesa me diçka kuptimplotë.

Një fans i grupit, në javën e kaluar e kishte publikuar një video nga takimi me këngëtarin e grupit, Anthony Kiedis, si dhe me basistin.

“Flea dhe (Anthony) faleminderit që ishit aq të këndshëm dhe të sinqertë… Keni mundur të mos ndaleni dhe të bisedoni, por e bëtë dhe shpresoj ta dini se keni ndikuar shumë në jetët tona”, kishte shkruar fansi.

Mirëpo, një tjetër ka komentuar se është gjë e rrallë të shihet ndërveprimi i anëtarëve të “Red Hot Chili Peppers” me fansat e tyre.

Fansi që e ka publikuar videon ka sqaruar: “Ndoshta thjesht ndihej rehat në atë kohë, asnjë nga miqtë e mi ose unë nuk kërkuam një fotografi ose një autograf apo ndonjë gjë për të cilën sapo folëm, kështu që ndoshta kjo ka të bëjë me ndërveprimin e tij me ne”

Më pas, Flea e ka konfirmuar këtë teori duke shpjeguar: “Kjo ndodhi sepse të gjithë ishit të këndshëm dhe nuk keni kërkuar fotografi. Ne jemi gjithmonë të gatshëm për të folur dhe për të biseduar, ndërsa të kërkosh një fotografi, menjëherë e prish atë” – transmeton NME.

Një fans tjetër ka pyetur se çfarë ka të keqe të kërkosh fotografi, ndërsa muzikanti i është përgjigjur: “Nuk ka asgjë të keqe në të. Por, e rrënon bisedën e vërtetë. Është një transaksion”.

“Asnjëherë në jetë nuk kam kërkuar nga dikush që të fotografohet me mua”, ka thënë tutje rokeri. /Telegrafi/