Basel nuk e do për më gjatë, Edon Zhegrova kthehet në Belgjikë

Edon Zhegrova do të rikthehet në Belgjikë, te klubi i tij Genk, pasi Baseli nuk e ushtroi të drejtën në marrëveshjen me belgët për ta blerë anësorin kosovar në fund të muajin mars.

Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës Zhegrova iu bashkua klubit nga Superliga e Zvicrës nga Genku në shkurt të vitit 2019, pas një marrëveshjeje për huazim njëvjeçar e gjysmë, por me mundësi që Baseli ta blejë përfundimisht atë.

Megjithatë, sipas gazetës së përditshme zvicerane Blick, Baseli ka pasur afat deri më 31 mars të shfrytëzojë mundësinë për ta blerë Zhegroven por nuk e ka bërë këtë.

Kjo nënkupton se 21-vjeçari i lindur në Herford do të kthehet në Genk, te klubi të cilit iu bashkua në gusht të vitit 2017.

Duke i parë paraqitjet e Zhegroves këtë sezon, është e çuditshme që Baseli refuzoi t’i paguajë rreth 3.5 milionë euro për një lojtar të talentuar, por rol në tërheqjen e klubit zviceran nga një mundësi si kjo mund të ketë luajtur pandemia koronavirus, e cila u ka shkaktuar telashe financiare klubeve të futbollit.

Zhegrova i regjistroi dy gola dhe tri asiste në 14 paraqitje për Baselin këtë sezon derisa futbolli s’u pezullua shkaku i Covid-19.

Në Zvicër ishin të bindur se Baseli do ta blinte kosovarin qysh pas një ndeshjeje në muajin dhjetor. Zhegrova ishte shpallur lojtari i ndeshjes në fitoren e Baselit 3:0 kundër Young Boys, në derbin për kreun e Superligës.

Ai e kishte shënuar një gol dhe e kishte dhuruar një asist në një paraqitje të paharrueshme.