“Bartësit e institucioneve nuk duhet të kenë frikë”, Çitaku kritikon Kurtin e Osmanin që nuk dolën në përkrahje të komunitetit LGBTI

Sot gjatë ditës në Prishtinë është mbajtur parada e krenarisë, ku pjesëtarë të komunitetit LGBTI+ kanë marshuar në rrugët e kryeqytetit, me moton “Edhe në shtet edhe në familje”.

Pjesë në këtë marshim kanë marrë edhe figura të politikës por edhe ambasador të shteteve të ndryshme, të cilët kanë shprehur përkrahje për këtë komunitet, shkruan lajmi.net

Një prej tyre ka qenë edhe nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku.

Çitaku ka deklaruar se Kushtetuta ofron të drejtat e barabarta për të gjithë qytetarët e Kosovës, kësisoj të gjithë duhet të mobilizohen në mënyrë që të gjithë qytetarët të ndjehen të barabartë.

“Kushtetuta jonë ofron të drejta për të gjithë qytetarët barabartë, fatkeqësisht një debat që patëm në Parlamentin e Kosovës ishte shumë i dëmshëm. Ne duhet të mobilizohemi bashkërisht, në mënyrë që krejt qytetarët e Kosovës, komuniteti LGBT, por edhe grupe të tjera të margjinalizuara të ndjehen të barabartë”, ka thënë Çitaku.

Po ashtu ajo ka shtuar se bartësit e institucioneve të Republikës së Kosovës nuk duhet të kenë frikë të dalin në mbështetje të të drejtave të njeriut dhe dashurisë.