‘Barte maskën – ku ta çojmë o Institut’: Sqarime rreth gabimeve trashanike të Institutit rreth publikimeve të lajmeve me Covid-19

Faqja më e vizituar e Facebook-ut në Kosovë për momentin është ajo e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë e Kosovës, mirëpo pavarësisht rëndësisë së saj, aty shumë nga shkrimet janë skandaloze dhe kanë gabime të rënda gjuhësore.

Insituti Kombëtar i Shëndetësisë i Kosovës, që çdo ditë sjellë përditësimin e lajmeve rreth koronavirusit, në rend të parë edhe emrin e faqes e ka të shkruar gabim. Në një kërkim të thjeshtë në këtë rrjet social atë e gjen si “Instituti Kombëtar i Shëndetësisë së Kosovës”, titull ky i shkruar gabim, e që në fakt duhet të jetë “Insituti Kombëtar i Shëndetësisë i Kosovës”.

Faqja e njohur “Vërejtje dhe rregulla gramatikore”, është vend ku paraqiten vërejtje dhe rregulla të gramatikës së gjuhës shqipe, e cila vazhdimisht publikon gabime gjuhësore që shkruhen në rrjetet sociale. Faqe kjo e menaxhuar nga profesori i gjuhës shqipe Ilmi Rexhepi.

Rexhepi ka sqaruar në mënyrë të detajuar se si duhet të shkruhet emri i institutit: 

Ky institut duhet të quhet “Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës”, dhe jo siç po u quajtka “Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës”.

Arsyetim:

Emri në rasën gjinore “i Kosovës” përcakton emrin e gjinisë mashkullore në rasën emërore njëjës “Instituti” dhe në këtë rast, sipas rregullave të drejtshkrimit, duhet të marrë nyjën e përparme “i” dhe jo atë “të”.

Gjithashtu, është për keqardhje që në Shqipëri të quhet “i Shëndetit Publik”, kurse në Kosovë “i Shëndetësisë Publike”. Ky dallim është simptomatik për karakterin e kufizuar retorik të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve tona.

Mirëpo, një gabim tjetër i publikuar këto ditë nga instituti është edhe rreth vendosjes së maskave, gjë të cilën autorët e kësaj faqeje të Facebook-ut, po e shkruajnë “barte maskën”, duke e shkruar plotësisht gabim.


Profesori Ilmi Rexhepi në një bisedë me Metron ka sqaruar përdorimin e saktë të foljeve barte, dhe vëre, e që në fakt për maskën duhet të shkruhet “vëre ose vendose maskën” dhe në asnjë mënyrë “barte maskën”, pasiqë folja barte ka kuptimin e transportit.

“Folja “barte” ka kuptimin e transportit. Ndërsa për maskën duhet të shkruhet “vëre ose vendose maskën” ashtu siç e ka përdorur edhe Ismail Kadare, në këtë varg:

“Ndaj nga spërkatja e tij nuk mundesh
Nuk mundesh kurrë të shpëtosh dot…
Më kot vë maskën në fytyrë
Dhe buzëqeshjen vë më kot.”?!”, sqaron Rexhepi duke theksuar se duhet të themi vendose/vëre/mbaje e edhe vishe, ama kurrë barte.

Kujtojmë, që përveç gabimeve drejtshkrimore edhe shkrimet në faqen e institutit janë të ndjeshme dhe tendencioze, si kjo më poshtë ku virusin ( Covid-19), e krahasojnë me një fëmijë, shkrim ky që pati ngjallur reagime të shumëta nëpër rrjetet sociale nga prindërit, shkruan Gazeta Metro.

Së fundi, në faqen e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë është shkruar gabimisht edhe fjala “thashetheme”, duke e ndarë ” thash e thëniet”, duke iu referuar atyre që po thuhen se gjoja virusi nuk ekziston.

Thashetheme dhe jo thash e thëniet, janë fjalë të pathemelta, zakonisht të këqija, për dikë a për diçka, që pëshpëriten e përhapen nga njerëz llafazanë e shpirtvegjël, të cilët marrin nëpër gojë të tjerët për t’i njollosur dhe nuk e kanë ndjenjën e përgjegjësisë. Thashethemet e botës. Njeri i thashethemeve. Merrej me thashetheme. Ka mjaft thashetheme. S’pyet (nuk do t’ia dijë) për thashethemet.