Barcelona vuan ndaj Osasunës, por nderohet nga Jordi Alba

Barcelona djersiti shumë për të marrë fitoren ndaj Ossunës në “Camp Nou”, ku për pjesën më të madhe të kohës skuadra e Xavit luajti në superioritet numerik.

Sfida u vendos nga goli i Jordi Albës, pesë minuta para fundit të kohës së rregullt. Barcelona me këtë sukses i afrohet edhe më shumë titullit e tashmë pret vetëm matematikën për të nisur festën.

Ndeshja u komplikua për Osasunën në minutën e 27-të, kur Jorge Herrando u ndëshkua me karton të kuq.

Pak çaste më vonë, Raphinha iu afrua ndjeshëm golit, me topin që përfundoi pak centimetra mbi tra. Për minuta të tëra Barcelona, në superioritet numerik, ushtroi presion në zonë e Osasunës, por goli do të vinte vonë.

Robert Lewandowski arriti ta shtynte topin drejt rrjetës në të 79′, por sistemi VAR e bëri të pavlefshëm për pozicion jashtë lojë në ndërtimin e aksionit. Gjithsesi, në minutën e 85-të, Jordi Alba ia doli ta dërgonte topin në rrjetë në shtyllën e dytë, duke e befasuar portierin Fernandez.