Trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde, u përball me gazetarët të cilët kishin raportuar se Barcelona mund të eliminohet nga Kupa e Mbretit për shkak se pjesë e skuadrës kishte qenë Chumi, i cili nuk kishte leje të luante.
Ky incident ndodhi gjatë ndeshjes së javës së kaluar, kundër Levantes, në Kupën e Mbretit. Katalonasit e kishin humbur atë ndeshje me rezultat 2-1, mirëpo e siguroi kualifikimin përmes fitores së mbrëmshme me rezultat 3-0, pasi që fitoi me rezultat të përgjithshëm 4-2.
Megjithatë, Levante po shpreson se do ta zë një vend në çerekfinale të Kupës së Mbretit duke kërkuar eliminimin e Barcelonës për shkak se në skuadër kishte qenë Chumi, i cili nuk kishte të drejtë të luante.
Chumi ishte ndëshkuar me kartonin e pestë të verdhë për këtë sezon të ekipit B të Barcelonës dhe për këtë arsye ai nuk kishte të drejtë të luante. Mirëpo, Valverde thotë se kjo gjë nuk është e saktë, pasi që suspendimi nuk është i vlefshëm për Kupën e Mbretit.
“Ne nuk kemi asnjë dyshim për Chumin. As më parë, as gjatë incidentit dhe as tani. Ne duhet të jemi pjesë e shortit nesër dhe jemi të sigurt se nuk kemi bërë asgjë të gabuar”, ka thënë Valverde në konferencën për shtyp.
“Ne e dinim në mënyrë të përsosur situatën e tij, e dinim që ai është i suspenduar dhe nuk mund ta përdornim atë për ndeshjen kundër Eibarit, mirëpo mund ta përdornin për ndeshjet e kupës”.







