Barcelona nuk po kalon një moment të mirë, teksa drejtuesit e klubit po vazhdojnë punën për të freskuar ekipin dhe në vëmendje kanë përfunduar dy futbollistë te Napolit, mesfushori Fabian Ruiz dhe mbrojtësi Kalidou Koulibali.

Drejtuesi i katalanëve, Erick Abidal ishte në Lecce ditën e diel, për të ndjekur nga afër dy futbollistët dhe për të krijuar një ide të qartë mbi përparimin e tyre, ndërsa klubi spanjoll po përgatitet për një ofensivë gjatë verës së ardhshme.

Fabian Ruiz bëri një Europian të shkëlqyer me Spanjën U21 dhe është një mesfushor polivalent, që nëse bashkohet me holandezin De Jong, mund të formojnë një dyshe të jashtëzakonshme për të tashmen dhe të ardhmen e ekipit.

Sa i përket senegalezit Koulibaly, ai shihet si pasuesi ideal i Gerard Pique, që pas pak muajsh do të mbushë 33 vjeç dhe që ka filluar të ndjejë vitet mbi supe, duke mos shfaqur më të njëjtën freski në prapavijën e katalanëve.

Koulibaly ka një klauzolë largimi prej 150 milionë eurosh, ndërsa Fabian Ruiz nuk ka asnjë klauzolë, por drejtuesit e Barcelonës shpresojnë që të bindin De Laurentiis verën e ardhshme, me një ofertë për t’i marrë të dy në këmbim të 200 milionë eurove.

Kjo shifër natyrisht që do të joshte bosin napolitan, që me kaq shumë para do të rinovonte tërësisht ekipin, ndërsa vetë futbollistët do të mund të bënin një hap të madh në karrierë, duke kaluar në një klub ku mund të luftojnë për objektiva madhorë.

loading…