Barcelona paguan klauzolën e Griezmann, shumë afër zyrtarizimi

E nisur më tepër se një vit më parë dhe e kulmuar mes deklarata të tensionuara në ditët e fundit, “telenovela” Antoine Griezmann duket se ka ardhur në fund dhe kampioni i botës me Francën do t’i bashkohet Barcelonës.

E përditshmja franceze “L’Equipe” raporton se klubi katalan ka pagur ditën e djeshme klauzolën prej 120 milionë eurosh, që duhet për të prishur kontratën mes Greizmann dhe Atletico Madridit, ndërsa zyrtarizimi është çështje orësh.

Sulmuesi francez pritet të nënshkruajë një kontratë 5-vjeçare me klubin katalan dhe t’u bashkohet shokëve të rinj të skuadrës të dielën, për t’u vënë nën urdhrat e trajnerit Valverde, në prag të nisjes së përgatitjeve për sezonin e ardhshëm.

Asgjë për të bërë, për Atletico Madridin, që reagoi me forcë dhe akuzoi Barcelonën se ka kontaktuar me Griezmann në një “pikë të nxehtë” të sezonit, duke shkelur parimet e besueshmërisë së garës.

Kjo pasi klauzola e prishjes së kontratës mes Griezmann dhe “Los Colchoneros” thekson qartë se nëse në arkat e Atleticos kalojnë 120 milionë euro, Griezmann është i lirë të largohet nga “Wanda Metropolitana”.

Francezi iu bashkua Atletico Madridit 5 sezone më parë dhe ka qenë një nga yjet e skuadrës në vitet e fundit, duke kontribuuar në arritjen e një sërë suksesesh të spanjollëve në La Liga dhe Europë.

Griezmann ishte shumë pranë Barcelonës edhe verën e kaluar, por angazhimi me Francën në “Rusi 2018”, ku u shpall edhe kampion bote, bëri që të shtynte marrëveshjen me katalanët dhe të qëndronte edhe një tjetër vit në Madrid.

Megjithatë tani është mbyllur gjithçka dhe duke filluar nga ky sezon, francezi do të luajë në krah të Lionel Messit dhe Luis Suarez, ndërsa synimi është që të dërgojnë sa më shumë topin në rrjetat e portave kundërshtare për të garantuar suksesin e Barcelonës në Spanjë dhe Europë.