Kombëtarja e Kroacisë dje njoftoi se Ivan Rakitic nuk do të udhëtojë me skuadrën në Angli për ndeshjen e fundit në Nations League, kurse sot Barcelona ka konfirmuar lëndimin në kofshë të 30 vjeçarit.
Rakitic u zëvendësua në fitoren 3-2 ndaj Spanjës para dy ditëve, ndërsa ekzaminimet e kryera te Barcelona treguan se ish anëtari i Sevillas vuan nga lëndimi i kofshës së djathtë teksa nuk është përmendur koha e riaftësimit.
Sidoqoftë, Raktic edhe ashtu nuk do të luante në ndeshjen derbi me Atletico Madridin menjëherë pas pauzës së kombëtareve, për shkak se ishte ndëshkuar me karton të kuq ndaj Real Betisit, takim të cilin e humbën katalanasit e që ishte disfata e parë në shtëpi për Ernesto Valverden.
Në anën tjetër përzgjedhësi i Kroacisë, Zlatko Dalic ka në dispozicion Milan Badelj, Mateo Kovacic, Josip Brekalo dhe Nikola Vlasic për të zëvendësuar yllin e Barcelonës.
Kroacia me një fitore potenciale ndaj Anglisë do të siguronte vendin e parë në grup, ndërsa humbja dhe barazimi pa gola do të rrëzonte ballkanasit një ligë më poshtë.







