Barcelona i kundërpërgjigjet Interit në lidhje me Vidalin, kërkon Sensin nga zikaltërit

Javët e fundit, janë intensifikuar lajmet në mediet sportive, sidomos në Itali për transferim të mundshëm të Arturo Vidalit nga Barcelona te Interi.

Por nëse “zikaltërit” po shqetësojnë jo pak “baugranat” për kilianin, kundërpërgjigjja e kampionëve të La Liga është e drejtpërdrejtë.

E përditshmja katalane “Sport”, një medie pranë Barcelonës, shkruan që drejtuesit e spanjollëve synojnë Stefano Sensin. Ata e konsiderojnë italianin objektiv primar, për të mbushur boshllëkun që do të krijonte largimi i Vidalit, por edhe i Rakiticit.

Për ta shkëputur nga Interi nevojitet një ofertë më e madhe se 50 milionë euro. Po sipas “Sport”, Barcelona nuk heq dorë as nga Lautaro Martinez për të përforcuar sulmin, por për këto çështje do të flitet më shumë gjatë merkatos së verës.