La Liga

Barcelona fiton, por Messi lëndohet

Barcelona ka shënuar fitore të rëndësishme në përballje me Sevillan, me rezultatin 4:2.

Katalunasit e nisën për mrekulli takimin duke realizuar qysh në minutën e 2’ me anë të brazilianit Coutinho.

Vetëm 10 minuta më vonë ishte Lionel Messi që dyfishoi epërsinë për skuadrën “blaugrana”.

Me gjithë këto lajme të mira, ishte momenti i zi, i cili mund të themi se edhe mbulon fitoren e skuadrës. Ylli Messi, pësoi lëndim në dorë, i cili lëndim ia pamundësoi vazhdimin e takimit.

Në pjesën e dytë Sevilla ishte diçka më e mirë. Ata rrezikuan shumë herë portën e vendasve, mirëpo pritjet e jashtëzakonshme të Ter Stegen ia mohuan golin mysafirëve.

Në minutën e 63’ ishte Suarez ai që thelloi rezultatin, me golin e realizuar nga penalltia.

Ishte minuta e 79′ kur Sarabia shpërbleu paraqitjen e mirë të skuadrës në pjesën e dytë, duke shënuar golin e vetëm për mysafirët.

Krejt në fund, ëmbëlsira erdhi nga Ivan Rakitic, i cili shënoi një super gol, në minutën e 88′ për 4:1.

Rezultati u vulos nga Luis Muriel, për 4:2, në minutën e 90′.

Me këtë fitore Barcelona kthehet në krye të tabelës, me 18 pikë të grumbulluara.