Barcelona fillon bisedimet për kontratë të re me Fatin

Ylli i ri i talentuar, Ansummane Fati, do të shpërblehet për paraqitjen mbresëlënëse me ekipin e parë të Barcelonës në ndeshjet e fundit të La Ligës.

Barcelona i ka nisur bisedimet për t’ia rinovuar kontratën Ansummane Fatit, pasi ai arriti ta marrë vëmendjen e të gjithëve me paraqitjet e tij në ndeshjet e La Ligës, raporton CatRadio.

16-vjeçari u bë golashënuesi më i ri në histori të Barcelonës dhe golashënuesi i tretë më i ri në histori të La Ligës kur shënoi në ndeshjen kundër Osasunës, para se të shënonte sërish kundër Valencias, të shtunën.

Ai e nënshkroi një kontratë të re deri në vitin 2022 vetëm në korrik, mirëpo paraqitjet e tij të fundit e kanë bindur Barcelonën t’ia ofrojë futbollistit një kontratë të re.

Fati do t’i fitojë rreh 1.5 milionë euro në vit nëse futbollisti arriti të zë një vend në ekipin e parë të klubit katalonas gjatë sezoneve të ardhshme.

Ai tani synon të thyejë edhe një tjetër rekord, kësaj radhe në Champions League, të bëhet futbollisti më i ri që shënon në këtë garë dhe pritet të ketë minuta të martën kundër Borussia Dortmundit.

Ernesto Valverde ka dhënë sinjale se do t’ia japë shansin Fatit, por jo për shkak të rekordit.

“Jemi të ngazëllyer me Ansu Fati, por duhet të tregohemi të kujdesshëm me të”, u shpreh trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde.

“Nëse ai luan nesër, s’do të jetë për të thyer rekordin, por për shkak se ekipi ka nevojë për të”.

loading…