Barcelona e ‘përcjellë’ nga La Liga Espanyolin, i afrohet në vetëm 1 pikë Real Madridit

Barcelona e ka mundur me vështirësi 1:0 Espanyolin, duke e rrëzuar nga La Liga rivalin e qytetit dhe duke iu afruar Real Madridit në vetëm një pikë, të paktën përkohësisht, në një garë të nxehtë për titull.

Luis Suarez e shënoi golin e triumfit të Barcelonës, në një ndeshje të dy skuadrat luajtën me nga 10 futbollistë pothuajse gjithë pjesën e dytë në Camp Nou.

Barça po vinte nga dy barazime radhazi tejet dëshpëruese dhe ishte e vetëdijshme se çfarëdo lëshimi i pikëve të mërkurën do të nënkuptonte humbje e shpresave përfundimisht për titull.

Skuadra e Quique Setien ngel në pozitën e dytë, por tani me vetëm një pikë më pak se Real Madridi, i cili ndeshjen e kësaj jave e zhvillon të premten kundër Alavesit.

Espanyol, i cili vinte në këtë takim pas pesë humbjeve radhazi, e pësoi edhe të gjashtë dhe tani edhe zyrtarisht do të luajë në Sequnda Division, kategorinë e dytë të futbollit spanjoll.

Barcelona e mbizotëroi rivalin e qytetin por nuk e bëri asnjë goditje brenda portës së tij në pjesën e parë.

Pesë minuta brenda pjesës së dytë, Ansu Fati, 17-vjeçari i futur frik në lojë, u përjashtua nga loja direkt me karton të kuq, pas një ndërhyrjeje të ashpër në kundërshtarin.

Por vetëm tre minuta më vonë, Pol Lozano e përjetoi fatin e njëjtë dhe skuadrat mbeten me nga 10 futbollistë në fushë.

Nuk vonoi shumë dhe Suarez e kaloi Barcelonën në epërsi me golin që doli të jetë i triumfit jetik.