Barça ofron 100 milionë euro plus Coutinhon për Neymarin

Barcelona ka dërguar një delegacion, përfshirë menaxherin teknik Eric Abidal, në Francë për të biseduar me Paris Saint-Germainin për një marrëveshje për transferimin e Neymarit.

Siç raporton “RAC1” dhe e konfirmuar për “Goal”, Abidal bashkë me anëtarin e bordit Javier Bordas dhe specialistin e tregut brazilian Andre Cury, kanë udhëtuar drejt Parisit për të negociuar.

Barcelona planifikon të ofrojë fillimisht 100 milionë euro plus Philippe Coutinhon. Katalonasit duhet të ulin pak shpenzimet e pagave dhe nuk mund të mbajnë të gjithë yjet, ndërsa PSG është e vendosur të pranojë së paku 222 milionë euro, aq sa pagoi për Neymarin kur e transferoi më 2017 nga Barcelona. Po ashtu mësohet se klubi francez dëshiron edhe shërbimet e mbrojtësit të djathtë Nelson Semedo. Një ofertë që do të konsiderohej nga krerët e PSG-së do të ishte përfshirja e Coutinhos, Semedos dhe 50 milionë euro.

Vendimi i Neymarit për rikthim në Spanjë ka shtuar reagimet negative të tifozëve në Francë. “Bir bushtre” ishte thirrja që u bë nga disa tifozë në Parkun e Princave dhe “Largohu nga klubi” në hapjen e sezonit në Ligue 1 në fundjavë.

Afati kalimtar në Spanjë mbyllet më 2 shtator dhe deri atëherë duket se do të jetë një përballje Barcelona – Real Madrid për yllin brazilian.

loading…