Banka Botërore përmend shqetësimin për varfëri dhe papunësi në Kosovë, Kurti citon vetëm pjesët pozitive të raportit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shpërndarë raportin e Bankës Botërore, sipas të cilës në 10 vitet e fundit në Kosovë përqindja e papunësisë ka rënë për 35 për qind.

Kurti këto të dhëna i përmendi me anë të një postimi në “Twitter”, teksa përmendi edhe rritjen e të ardhurave për kokë banori, që sipas Bankës Botërore, janë rritur përgjysmë më shumë për të njëjtën periudhë, shkruan Gazeta Insajderi.

“Lavdërime të mëdha për Kosovën nga Banka Botërore këtë javë. Sipas këtij institucioni, krahasuar me 10 vjet më parë Kosova ka rritur të ardhurat për kokë banori për 50% dhe ka ulur shkallën e varfërisë për 35%, “duke tejkaluar vendet me të ardhura të ngjashme për kokë banori””, shkruan shefi i ekzekutivit.

Sipas komunikatës së Bankës Botërore, Kosova ka shënuar progres ekonomik përgjatë dekadës së fundit. Sidoqoftë, ky institucion financiar përmend shqetësimin se papunësia dhe varfëria mbeten në nivel të lartë.

“Ajo [Kosova] ka kaluar me sukses nga një model rritjeje i bazuar në varësinë e lartë nga të hyrat e vendeve të huaja, duke tejkaluar vendet homologe me të ardhura të ngjashme për kokë banori falë një zgjerimi të vazhdueshëm të konsumit dhe investimeve, si dhe një shtysë të fortë nga flukset e diasporës, investimet publike në infrastrukturë, në kushte të qëndrueshme fiskale dhe një mjedisi me inflacion të ulët. Megjithatë, pavarësisht një dekade progresi, papunësia dhe varfëria mbeten të larta”, thuhet ndër të tjera në njoftim.