Balotelli i mbron Messin e Ronaldon: E pakuptimtë t’i kritikosh ata për dështimet e ekipeve të tyre

As Lionel Messi e as Cristiano Ronaldo nuk do të luajnë në finale të Ligës së Kampionëve për herë të parë që prej vitit 2013, por Mario Balotelli këmbëngul se ata nuk duhet të kritikohen assesi.

Messi dhe Barcelona u mposhten 4:0 nga Liverpooli në një ndeshje të jashtëzakonshme gjysmëfinale në Anfield, edhe pse katalonasit e kishin fituar 3:0 ndeshjen e parë në Camp Nou.

Juventusi i Ronaldos tashmë ishte eliminuar në një fazë më të hershme pasi ishte mundur 3:2 pas dy ndeshjeve nga Ajaxi.

Me Liverpoolin që në finale do të përballet me Ajaxin ose Tottenhamin, dy yjet – që nga shumë konsiderohen si në mesin e më të mirëve të të gjitha kohëve – do të mungojnë në finalen më të madhe evropiane për klube.

Hera e fundit që finalja ishte luajtur pa prezencën e njërit prej tyre ishte viti 2013, kur Bayern Munich dhe Borussia Dortmund u ndeshen për trofeun në Wembley.

Por sulmuesi i Marseille Balotelli pohon se është e pakuptimtë t’i kritikosh atë për dështimet e ekipeve të tyre, duke e quajtur alien Messin dhe Ronaldon më të mirin të planetit tonë.

“Messi është jashtëtokësor, edhe pse pati një lojë të keqe dhe të vështirë”, shkroi Balotelli pas humbjes së Barcelonës.

“Ronaldo mbetet lojtari më i mirë në planetin tonë, edhe pse nuk arriti as në gjysmëfinale. Çfarëdo tjetër që thuhet është e pakuptimtë. Nuk mund të thuash gjëra të këqija ndaj këtyre dyve për një ndeshje që e luajnë keq apo sepse nuk u kualifikuan dhe u mposhten. Do të ishte çmenduri”, shtoi ai.