Ballkani mund të përfundojë si kampion vjeshtor

Ka dy javë që stinori vjeshtor në futbollin kosovar ka përfunduar, por ende nuk është përcaktuar se cila skuadër mund të dimërojë në krye të tabelës në Albi Mall Superligën e Kosovës në futboll, kjo për shkak të disa ndeshjeve të mbetura të Ballkanit, shkruan Demokracia.com.

Aktualisht Drita i prinë renditjes me 38 pikë, por që ka një ndeshje më shumë sesa Ballkani që është vetëm një pikë më poshtë.

Kampioni në fuqi i Kosovës, Ballkani të dielën e zhvillon ndeshjen e mbetur ku do të përballet me Prishtinën. Kjo sfidë luhet në Suharekë dhe nëse skuadra e Ilir Dajës shënon fitore atëherë do të dimërojë si kampione vjeshtore.

Të kujtojmë se Ballkani kishte tri ndeshje më pak sesa skuadrat tjera kjo pas pjesëmarrjes në fazën e Grupeve në Conference League çka u detyruar që disa ndeshje të Superligës t’i shtyjë.