Ballkani mposht Flamurtarin dhe i afrohet Gjilanit kryesues

Dy gola të anuluar, një penallti e humbur dhe një gol që shkaktoi pakënaqësi të mëdha e dominuan ndeshjen mes Ballkanit dhe Flamurtarit, të cilën e fitoi klubi nga Suhareka me rezultat 3-1, në kuadër të xhiros së 11-të të Superligës së Kosovës.

Me këtë fitore, Ballkani vazhdon t’i bëjë presion liderit të ligës, Gjilanit.

Pas disfatës kundër Dritës në xhiron paraprake, Ballkani, në mungesë të trajnerit Ismet Munishi që është i pezulluar, e priti në stadiumin e qytetit të Suharekës, Flamurtarin, që radhitet në zonën e rrezikut në tabelën e Superligës.

Ballkani e shfaqi formën e mirë të këtij sezoni qysh në minutat e para të ndeshjes, mirëpo në epërsi arriti t’i kalojë vetëm në minutën e 24-të Blend Baftiu, i cili është golashënuesi më i mirë në Superligë deri më tani, bashkë me Gerhard Prognin e Gjilanit.

Goli i Baftiut, i shënuar nga largësia, i gëzoi tifozët dhe Munishin në tribunat e stadiumit, mirëpo ai gol ngjalli ankesa të shumta nga lojtarët e Flamurtarit, të cilët pretendonin se goli duhet të anulohet për shkak të një pozite jashtë loje.

Baftiu ishte afër golit edhe një herë tjetër, me kokë, e disa minuta më vonë Flamurtari e pati një mundësi të artë për ta barazuar rezultatin e ndeshjes. Megjithatë, Festim Krasniqi gaboi nga pika e penalltisë, duke e dërguar topin mbi portë.

Në pjesën e dytë për Ballkanin shënuan Jetmir Topalli dhe Artur Magani, mirëpo Topalli mund të mos ketë mbetur i kënaqur nga goli i tij i vetëm pasi që dy gola të tjerë të tij në këtë ndeshje iu anuluan për pozitë jashtë loje.

Afër fundit të ndeshjes, skuadra e Flamurtarit e rriti intensitetin e lojës dhe arriti ta shënojë golin ngushëllues në minutën e 70-të të ndeshjes, kur Angel Granchov u tregua i saktë me kokë.

Tani Ballkani radhitet në pozitën e dytë në tabelën e Superligës së Kosovës, me 23 pikë të grumbulluara nga 11 ndeshjet e para (shtatë fitore, dy barazime, dy humbje) – një pikë më pak sesa Gjilani.

Në anën tjetër, Flamurtari radhitet në pozitën e dhjetë në këtë tabelë, me vetëm nëntë pikë të grumbulluara nga 11 ndeshjet e para – dy fitore, tri barazime dhe gjashtë humbje.

loading…