Skuadra nga Suhareka

Ballkani kompleton “tripletën”, e merr edhe Superkupën e Kosovës pa luajtur fare

Skuadra e Ballkanit ka fituar gjithçka që mund të fitohet në futbollin kosovar.

Javën e kaluar, FC Ballkani u zyrtarizua si kampion i Kosovës në futboll, pasi triumfoi me rezultatin 0:1 ndaj Llapit dhe siguroi edhe matematikisht titullin e tretë radhazi nën drejtimin e Ilir Dajës.

Ndërsa, dje, FC Ballkani ka fituar ndaj Prishtinës në finalen e Kupës së Kosovës pas ekzekutimit të penalltive me rezultatin 4-2.

Pasi, FC Ballkani ka fituar edhe titullin edhe Kupën, Superkupa nuk do të zhvillohet fare, sepse kështu e parasheh rregullorja e FFK-së.

“Në qoftë se një ekip gjatë një edicioni të garave e fiton edhe titullin e kampionit dhe Kupën e Kosovës, atëherë ndeshja e Superkupës nuk do të zhvillohet fare”, shkruhet në nenin 74 të propozicionit të garave të futbollit kosovar.

Tashmë, FC Ballkani do të marrë Superkupën e Kosovës pa luajtur hiç, sepse kështu edhe i takon.

FC Ballkani pasuron dhomën e trofeve edhe me një Superkupë.