Ballkani e ka mposhtur Trepçën ’89 si mysafir me rezultat 2:0, në ndeshjen e javës së 26-të të Superligës së Kosovës në futboll, e cila u zhvillua të dielën në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë.
Fitorja e dërgon ekipin nga Suhareka në pozitën e parë me 55 pikë, aq sa ka edhe Drita në vendin e dytë.
Golat e triumfit për ekipin e trajnerit, Bledi Shkëmbi, i shënuan Mirlind Daku (36’) dhe Arbër Hoxha (69’).
Për Dakun ishte goli i 26-të këtë sezon dhe vazhdon të mbetet golashënuesi më i mirë në elitën e futbollit kosovar këtë sezon.
Për Ballkanin ishte fitorja e 17-të këtë edicion.
Ndërkaq, Trepça ‘89 pësoi humbjen e 12-të këtë kampionat. Me 32 pikë “minatorët” renditen në vendin e gjashtë. Është vetëm pesë pikë larg vendit të tetë që e mban Arbëria, pozitë që në fund të kampionatit dërgon në barazh.







