Tri herë kampioni i Kosovës, Ballkani, ka shënuar fitore në ndeshjen e parë të rrethit të tretë kualifikues të Ligës së Konferencës. 

Ballkani, pjesëmarrës dy herë rresht në fazën grupore të Ligës së Konferencës, fitoi 1:0 ndaj Shamrock Roversit të enjten mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. 

Golin e fitores së Ballkanit e realizoi Sunday Adetunji, në minutën e 56-të. 

Ai u shmang mirë nga një mbrojtës kundërshtar në zonë, dhe më pas me gjuajtje të saktë e mposhti portierin kundërshtar. 

Ndeshja kthyese luhet pas një jave në Irlandë. 

Në rast se e kalon këtë kundërshtar, Ballkani do të luajë në plejof ndaj fituesit të ndeshjes Larne – Santa Clara. 

Ndeshjet e plejofit luhen më 21 dhe 28 gusht. Te skuadra e drejtuar nga trajneri Orges Shehi, paraqitje shumë të mirë pati edhe portieri slloven, Adnan Goluboviç. 30-vjeçari e shpëtoi dy herë portën duke e larguar topin nga vija. 

Ballkani në rrethin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës e eliminoi Florianan e Maltës, kurse Shamrocku ishte më i mirë se St Josephs i Gjibraltarit.