Ballkani fiton duelin e tensionuar ndaj Llapit dhe mbetet lider

Ballkani e ka fituar ndeshjen tejet të tensionuar ndaj Llapit me rezultat 1:0, në kuadër të xhiros së 31-të të Superligës. Golin e fitores për ekipin nga Suhareka e ka shënuar Blend Baftiu në minutën e 33-të. Ndeshja ishte shumë e tensionuar, ku u panë edhe tre karton të kuq, një për vendasit dhe dy për mysafirët.

Te Ballkani me karton të kuq u ndëshkuan Kushtrim Gashi, kurse te Llapi, Ahmed Januzi dhe Elvis Prençi. Llapi ka reaguar pas pjesë në parë në “Faceook” duke thënë se janë sulmuar zyrtarët e ndeshjes.

“Nuk e dimë a jemi në Suharekë apo ku tjetër??? Kjo është turpi i vitit 2021, turpi i futbollit! Sulmohen zyrtarët dhe futbollistët e Llapit, ka presion të vazhdueshëm nga shikuesit jashtë stadiumit që kalojnë mbi 300 të pranishëm!”, ka shkruar Llapi në faqen zyrtare të klubit.

Me 67 pikë, Ballkani është lider i Superligës. Kurse Llapi është në vendin e pestë me 39 pikë.