Ballkani e Ferizaji me fitore të mëdha, në Prishtinë ndeshja përfundon pa gola

Ballkani e ka mposhtur për herë të tretë këtë edicion Gjilanin. Kësaj rradhe vetëm me rezultat minimal.

Goli që vendosi sfidën dhe i dha vendasve tre pikë mjaft të rëndësishme, ishte ai i talentit Blendi Baftiu (56’), i cili shënoi me kokë pas harkimit të Jetmir Topallit

Skuadra nga Suhareka rezistoi deri në fund dhe mori fitore që me shumë gjasë mund t’i sigurojë edhe mbetjen në elitë sezonin e ardhshëm.

Ferizaji ka shënuar fitoren e pestë radhazi dhe ka bërë hap të rëndësishëm drejt mbetjes në Superligë.

Ekipi i drejtuar nga Bylybyl Sokoli fitoi në udhëtim 1-2 ndaj Trepçës ’89, që tashmë janë në rrezik serioz në zonën e barazhit.

Të tre golat u shënuan në pjesën e dytë, me mysafirët që kaluan në epërsi nëpërmjet Burim Qerkinit (54’) dhe Ermal Krasniqit (71’), para se Arb Manaj (82’) të vuloste rezultatin përfundimtar.

Ndeshja tjetër, që gjithashtu kishte vlerë për dy skuadra që janë në rrezik për zonën e barazhit, ajo mes Flamurtarit dhe Drenicës përfundoi pa gola.

Gjatë 90 minutave nuk pati asnjë gol në Prishtinë dhe dy ekipet morën nga një pikë që mund të jenë goxha të mëdha për t’i ikur barazhit.