Ka përfunduar pa fitues 1-1 derbi i xhiros së 14-të në Superligën e Kosovës i zhvilluar në Therandë mes Ballkanit dhe Llapit.
Skuadra e Llapit ka arritur të marrë një pikë nga udhëtimi në Therandë, përballë liderëve të Superligës.
KF Llapi ishte skuadra e parë që gjeti rrjetën në këtë sfidë, kur në minutën e 33’, shënoi nga penalltia sulmuesi Sebino Plaku.
Këtë penallti, skuadra e Batatinës e fitoi pas një ndërhyrje të Edmon Turkut në Valmir Veliun.
Pjesa e dytë i takoi në tërësi vendsve, që kërkuan me çdo kusht golin e barazimit.
Pas shumë orvatjeve, goli i barazimit erdhi në minutën e 71’, kur Arbër Patoku shënoi me kokë pas një tollovie në zonën e Llapit.
Deri në fund të ndeshjes, Ballkani provoi të gjente edhe golin e fitores, por nuk ia doli.
Në ndeshjet tjera që janë zhvilluar në të njëjtin orar, Drenica ka arritur që të mposht Trepçën 89 me rezultat 3-2, ndërsa Drita në minutat e fundit të ndeshjes ka arritur që të shënojë golin e fitores, duke mposhtur Dukagjinin 1-0.







