Anëtarësimi

Bakojanis jep shpresë për anëtarësimin e Kosovës në KiE: Por, do të ketë një proces mbikëqyrës

Vendimi për 24 hektarë tokë rreth Manastirit të Deçanit dhe regjistri i tapisë që ia bëri Kadastri i Kosovës, për raportuesen e Kosovës në Këshillin e Evropës, znj.Dora Bakojanis, është një sukses i madh për rajonin dhe një ‘nga hapat më të rëndësishëm për mbrojtjen e Kishës Ortodokse Serbe’. Sidoqoftë, thotë ajo, ka ende një listë të gjatë që po presin në rend, e që lidhen me demokracinë dhe të drejtat e njeriut në Kosovë.

“Kemi arritur një sukses të madh në rajon në ditët e kaluara, dhe kjo është kthimi i pronës së Manastirit të Deçanit, një prej hapave më të rëndësishëm në mbrojtjen e Kishës Ortodokse Serbe, dhe njëehrit, është një shenjë e qartë që autoritetet në Prishtinë e kanë kthyer vëmendjen kah rendi e ligji dhe shenjë iniciative e nenvojshme për reformat që bëhen për hir të sigurisë së statusit të minoritetit serb”, tha Bakojanis në intervistë për N1 Studio.

Por, Bakojanis, thotë se ka ende një listë të gjatë të çështjeve të pazgjidhura që ndërlidhen me demokracinë dhe të drejtat e njeriut në Kosovë.

“Sigurisht, nuk jam naive, jam plotësisht e vetëdijshme se ka një listë të gjatë që po pret në rend dhe që ndërlidhet me demokracinë dhe të drejtat e njeriut në Kosovë, bashkë me rezistencën e fortë nga ana e Prishtinës në fronte të ndryshme. Këshilli i Evropës e di mirë këtë, por fakti që brenda pesë muajsh kemi arritur ta menaxhojmë zgjidhjen e kësaj çështje, e cila qëndronte aty (e pazgjdhur v.j) për 25 vjet me radhë, është një arritje e madhe dhe kj do të jetë pjesë e raportit tim”, tha ajo.

Ajo shpreson se raporti do të adresojë të gjitha shqetësimet.

“Të gjitha shqetësimet që ndërlidhen me statusin demokratik të gjendjes në të cilën është minoriteti serb në Kosovë, do të përmenden në detaje në raportin që sapo përmenda”, thotë Bakojani.

“Do të rekomandoj monitorimin e Kosovës nga ana e Këshillit të Evropës, njëfarë post-monitorimi që mund të fillojë nëse Këshilli i Ministrave vazhdon me votimin sepse ata janë përgjegjës në marrjen e vendimeve. Raporti im për të gjithë kolegët, prezanton gjithë situatën aktuale në lidhje me të drejtat e njeriut si dhe progresin që është shënuar në adaptimin e legjislacionit. Nëse raporti do të kalojë, atëherë do të hyjmë në këtë proces post-monitorimi”, thotë ajo.

Se çka nënkupton më specifikisht ky proces post-vëzhgimi (post-monitorimi), Bakojani tregohet edhe më e qartë.

Ajo thotë se ky proces do të udhëhiqet nga ‘kolegët e saj’ pjesë e ‘Komitetit Politik’ dhe i cili do të monitorojë çdo hap përpara implementimit nga ana e Këshillit të Evropës.

“Prishtina duhet të pajtohet që të implementojë gjithë këta hapa në muajt në vazhdim, kjo është mënyra që është aplikuar tek të gjitha vendet dhe kështu do të ndodhë edhe me Kosovën, pra monitorimi – në rast se Komiteti i Ministrave vendosë ta pranojë Kosovën si pjesë të Këshillit të Evropës”, thotë Bakojani në këtë intervistë.

Ajo thotë se komuniteti serb, ashtu si të gjitha komunitetet tjera në Kosovë, ‘duhet ta kenë mundësnië që të apelojnë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut’.

“Është një gjykatë, që nënkupton se nëse Kosova bëhet pjesë e Këshillit të Evropës, ka të drejtë të dërgojë vendime dhe në këtë formë, mbrohen më shumë të drejtat e minoriteteve e po ashtu, kjo është një nga arsyet pse shumë vende synojnë të bëhen pjesë e Këshillit të Evropës. Pra, në këtë formë, ata mund të vjelin frytet e një gjukate që mbron të drejtat e njeriut”, thotë Bakojani.

“Kemi punuar shumë në terren dhe nuk jam naive, e di se sa shumë punë na pret edhë më tutje, por mbrojtja e minoritetit serb në Kosovë, ashtu si edhe e minoriteteve të tjera, do të jetë shumë më e duhur nëse Kosova bëhet pjesë e Këshillit të Evropës. Ajo që dua është që të ofrojnë një ndihmë dhe të sigurohemi se të gjitha të drejtat e këtyre njerëzve po mbrohen dhe po implementohen në terren”, përfundon Bakojani.