Bajrami: Ëndërr e bërë realitet, do ta jap shpirtin për Shqipërinë

Një ëndërr e kthyer në realitet, kështu e quan Nedim Bajrami fitoren e arritur nga Federata Shqiptare e Futbollit në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë të Zvicrës, që i jep mundësi futbollistit të Empolit të veshë fanellën kuqezi.

Nëpërmjet një postimi në Instagram, 22-vjeçari i lindur në Tetovë, përbetohet se do të japë gjithçka për Kombëtaren Shqiptare.

Mesazhi i Bajramit:

“Më në fund, ëndrra ime, ëndrra e familjes time, ëndrra e gjyshërve të mi u bë realitet. Unë do të përfaqësoj fanellën kuqezi dhe Kombin shqiptar!

Jam shumë i gëzuar dhe dua të falënderoj pafundësisht nga thellësia e zemrës me mijëra tifozë kuqezinj kudo nëpër botë që më kanë shkruar dhe telefonuar.

Një falënderim i veçantë shkon për @fshforg që ia doli në këtë betejë të ndërlikuar. Nga sot, përbetohem që do të jap shpirtin dhe zemrën në fushë për atë fanellë, që është krenaria e të gjithë shqiptarëve!

Shihemi së shpejt!