Bajqinovci godet fort PDK-në, pasi që thanë se Konjufca ishte ideolog i terroristëve të ‘Syrit të Popullit’

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, u është kundërpërgjigjur akuzave të Partisë Demokratike të Kosovës, e cila e quajti Glauk Konjufcën, kryetarin e Kuvendit të Kosovës, “ideolog të terrorizmit të lidhur me Syrin e Popullit”.

Bajqinovci, në një postim në Facebook, thotë se me Konjufcën por merret “Pronto partia” që gjatë qeverisjes së saj zhvilloi sistemin e zhvatjes e vjedhjes në shtet.

“Kush po merret me Glaukun? Pronto partia, që përgjatë qeverisjes së saj, sajoi pronto drejtësinë, për kohë të gjatë, me instrumentet e shtetit të kapur, zhvilloi sistemin e zhvatjes e vjedhjes në shtet, në mënyrë kapilare. Përveç kësaj, ata paturpësisht, dilnin e denonconin në publik ato vepra korruptive që i kishin zhvilluar vet. Emërojnë dhe mbajnë në detyrë njeriun e lejeve të ndërtimit në Badovc, nga ana tjetër, thërrasin seancë për kinse kundërshtimin e këtij projekti. E kthejnë korrupsionin në mjet të vetëm për funksionim të tyre, si njerëz të babëzitur (pangopshëm me hajni) dalin pastaj thonë “ne do ta luftojmë korrupsionin””, shkruan Bajqinovci në Facebook.

Ai, tutje thotë se “Dënojnë pa prova, përmes prokurorive e gjykatave të kapura, njerëz të dëshmuar si të ndershëm e atdhetar, dalin më pas akuzojnë të tjerët si të lidhur me “të dënuar” nga “drejtësia” që ata vet e urdhërojnë”.

“Përtej kredibilitetit të këtyre pronto zhvillimeve, ku kanë parë këta matrapazë mesjetarë, të mbahet përgjegjës dikush, qoftë edhe politikisht e publikisht, mbi baza të lidhjeve familjare e farefisnore. Përveç mesjetës ku këta tribalë jetojnë, bota e vlerave ku punojmë t’i përkasim, përgjegjësinë e trajton si individuale”, thotë Bajqinovci.

Tutje ai thotë se Konjufca, në krahasim me “klanin pronto”, punon dhe e do vendin.

“Shembulli i Glaukut për ju, është i paarritshëm dhe besoj i pakuptueshëm. Ju s’mund ta paramendoni qëndrimin e shërbimin në politikë, pa bindjet tuaja se në politikë duhet vjedhur. Glauku e sheh politikën e drejtësinë në shërbim të interesave vitale të kombit e të shtetit, jo ndaj vetës. Ai me thjeshtësinë e tij, dijen e tij, dashninë për vendin ja ka dalë të ju nxjerrë ju ende më shumë si mujsharë e të babëzitur. Kosova po ju njeh mirë. Kot e keni, nuk e mashtroni asnjë njeri në këtë vend. Populli e di se jeni fatkeqësia e tij pas lirisë së Kosovës!”, përfundon Bajqinovci.