Mbrojtësi afrikan

Bailly falenderon Mourinhon për mundësinë që i dhënë për të luajtur te Unitedi

Ishte raportuar se marrdhëniet mes Jose Mourinhos dhe Eric Baillyt ishin përkeqësuar, por mbrojtësi nga Bregu i Fildishtë ka falenderuar trajnerin portugez për mundësinë që të luajë për Manchester Unitedin.

“Djajtë e Kuq” transferuan Baillyn në verën e vitit 2016 nga Villarreali, ndërsa 24 vjeçari zhvilloi 25 paraqitje në sezonin e tij të parë në “Old Trafford”, që njëkohësisht ishte i pari edhe për Mourinhon.

Lëndimet ishin armiku më i madh i Baillyt në sezonin e dytë te Unitedi, ndërsa dëmtimi në kyçin e këmbës e mbajti jashtë fushave pëe 3 muaj.

Mourinho gjatë verës së kaluar kërkoi publikisht nga drejtuesit përforcime në repartin e mbrojtjes, por pavarësisht se asnjë lojtar nuk u transferua, Bailly sërish nuk arriti të ishte pjesë e formacionit titullar, ndërsa ishte zëvendësuar pas vetëm 18 minutave në fitoren 3-2 me përmbysje të Manchester Unitedit ndaj Newcastlet në muajin tetor.

Sidoqoftë, Bailly përmes një postimi në Instagram ka mohuar të ketë ndonjë problem personal me 55 vjeçarin, të cilin e ka falenderuar për mundësinë e që të debutojë në “Old Trafford”.

“Çfarëdo që mund të thonë të tjerët, unë do të jem gjithmonë falenderues për personin që më dha mundësinë për të debutuar në “Old Trafford”. Faleminderit për gjithçka që më ke mësuar, paç fat trajner”, shkruan Bailly në një foto bashkë me Mourinhon.

Përkohësisht pasues i Mourinhos në stolin e Manchester Unitedit është zgjedhur të jetë ish lojtari i 20 herë kampionëve të Anglisë, Ole Gunnar Solskjaer, me norvegjezin që do të debutojë të shtunën kundër ish skuadrës së tij, Cardiff City.