Bahtiri: Orteku i fitorës së VV-së nisi dje në fshatin tim të lindjes

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, i cili para pak kohe ka kaluar nga Aleanca Kosova e Re në Lëvizjen Vetëvendosje, tani po bën fushatë për këtë të fundit.

Gjatë ditës së djeshme ai së bashkë me kandidatin e VV-së për kryeministër, Albin Kurtin dhe kandidatët për deputetë nga kjo parti, vizituan fshatrat e Mitrovicës.

Tubimet e tyre filluan në fshatin e lindjes së Bahtirit, Gushavc, për të vazhduar në Zhabar e Shupkovc.
Nisjen nga vendlindja e tij Kryetari i Mitrovicës e quajti fillim të oretkut të fitores së Vetëvendosjes.

“Dje, ishte një ditë e veçantë pasi që Mitrovica i dha mbështetje të fuqishme Kryeministrit në ardhje, z. Albin Kurti. Orteku i fitores nisi në Gushavc, fshatin tim të lindjes, ku qindra banorë e pritën në mënyrë madhështore z. Kurti dhe kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje për deputetë në Kuvendin e Kosovës. Më pas vazhduam për në Zhabar, që ka qenë gjithmonë bastion i përkrahësve për mua, ku shpalosëm vizion qeverisës pas fitores së 6 tetorit. Zhabari nuk ishte ndalesa e fundit, pasi që një pritje edhe më madhështore ishte organizuar në Shupkovc”, ka shkruar Bahtiri në facebook.

Bahtiri tha se para qindra simpatizantëve dhe aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, u zotuan se në mandatin e ardhshëm 4 vjeçar do t’ia kthejnë dinjitetin Kosovës, duke i dhënë fund keqeverisjes dhe korrupsionit 20 vjeçar në nivel nacional, ashtu siç, thotë ai, i dhanë fund këtyre dukurive më 2013 në Mitrovicë.

Takimin përmbyllës për ditën e djeshme, Lëvizja Vetëvendosje e mbajti në Vushtrri.

“Takimin përmbyllës për ditën e djeshme e mbajtëm në Vushtrrinë e Hasan Prishtinës, ku Kryeministri në ardhje, z. Albin Kurti së bashku me ne u zotua në qeverisjen e tij do të ketë zhvillim ekonomik, mirëqenie për të gjithë, arsimim cilësor, shëndetësi më të mirë dhe zhvillim ekonomik”, ka përfunduar Kreu i Mitrovicës.

loading…