Bahtiri i alarmuar i drejtohet Kurtit pas pushtimit rus: Lëri autostradat, ta armatosim ushtrinë

Ish-kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka komentuar situatën Rusi-Ukrainë, duke thënë se pas njohjes së pavarësisë së Luhanskut dhe Donbasit nga Rusia, si dhe hyrjes ushtarake në këto zona, Kosova duhet të tregohet shumë e vëmendshme me situatën në veri.

Sipas Bahtiriti, prej vitit 1999, “Serbia po qëndron praktikisht në gjendje gatishmërie për ta aneksuar veriun e Kosovës, por që gjithmonë ka pritur të krijohen situata të reja gjeo-politike që do ta favorizonin”.

“Prej vitit 1999 Serbia  qendron praktikisht në gjendje gatishmërie për ta aneksuar veriun e Kosovës, por që gjithmonë ka pritur të krijohen situata të reja gjeo-politike që do ta favorizonin. Pas pushtimit të një pjese të Ukrainës nga Rusia, edhe aleati i saj në Ballkan me në krye Vuçiqin duket se nuk ka vullnet të ruaj paqen në rajonin tonë”, ka shkruar Bahtiri.

Ai ka renditur edhe disa kërkesa që ka për kryeministrin Albin Kurti.

Përmes këtij postimi, Bahtiri i ka kërkuar atij që t’i ndalë të gjitha projektet e investimeve kapitale dhe buxhetin e dedikuar për to ta ridestinoj për armatosjen e Ushtrisë së Kosovës.

“Në maj të vitit 2021 kam nënshkruar kontratë me Ministrinë Mbrojtjes për t’i dhënë në shfrytëzim 195 hektarë tokë në fshatin Cërnushë të Mitrovicës për ndërtimin e bazës ushtarake të FSK-së, nga e cila veriu monitorohet plotësisht. Pas zhvillimeve aktuale, fillimi i ndërtimit të menjëhershëm të saj është nevojë urgjente.

Z. Kryeministër Albin Kurti, unë në Vetëvendosje kam ardhur sepse kam besuar dhe besoj që jeni të përkushtuar maksimalisht për mbrojtjen e veriut të Kosovës, i cili ishte harruar nga qeveritë paraprake”, ka shkruar Bahtiri.