Babbel “pret shpresat” e Bolt: Nuk bëhet futbollist, as pas 100 vitesh

Pasi fitoi gjithçka në atletikë dhe vendosi edhe rekordin botëror në garën e 100 metrave, atleti xhamajkan Usain Bolt është përkushtuar totalisht në ëndrrën e tij për t’u bërë një futbollist profesionist dhe për të luajtur në nivele të larta.

Pasi e refuzuan shumë skuadra europiane, Bolt vendosi të nisë karrierën e tij nga Australia, ku ka nisur përgatitjet dhe ka luajtur edhe në një miqësore, me skuadrën e Central Coast Mariners, në të cilën shënoi edhe dy gola.

Gjithsesi, ish futbollisti i Bayernit dhe Liverpoolit, Marcus Babbel, aktualisht trajner i skuadrës australiane Western Sydney Wanderers, duket se “ia ka prerë shpresat” atletit xhamajkan, se mund të bëhet futbollist ndonjë ditë.

“E kam parë të luajë dhe me gjithë respektin, mund të them se as pas 100 vitesh stërvitje, nuk do të bëhet futbollist profesionist”, deklaroi Babbel.