Sulmuesi

Babai i Piatekut: Djali im është i gatshëm të largohet nga Milani

Babai i Krzysztof Piatekut e ka konfirmuar se futbollisti i Milanit dëshiron të jetë titullar i rregullt dhe se nëse nuk i ofrohet kjo që nga kuqezinjtë, atëherë do ta kërkojë një klub tjetër.

Sulmuesi 24-vjeçar kishte arritur t’i shënojë 30 gola në të gjitha garat gjatë sezonit të kaluar, mirëpo këtë sezon ka kontribuar me vetëm pesë gola dhe e ka humbur vendin e sigurt si titullar, transmeton Gazeta Express.

Vendi i tij në skuadër rrezikohet edhe më shumë pas ardhjes së Zlatan Ibrahimovicit, dhe tani raportohet se për të janë të interesuar Tottenhami dhe Atletico, për ta marrë në formë huazimi. Megjithatë, Milani është i gatshëm vetëm ta shesë për 30 deri në 35 milionë euro.

“Kris dëshiron të luajë në EURO 2020 në formë të mirë dhe kjo do të thotë se ai nuk mund të jetë lojtar që rri në bankën rezervë, por dëshiron të jetë titullar i rregullt”, ka thënë babai Wladyslaw Piatek.

“Nëse ai s’do të ketë mundësi ta bëjë këtë në Milan, atëherë me gjithë qejf do ta bëjë diku tjetër. Ai është në treg gjatë janarit, ashtu siç janë edhe Lucas Paqueta, Suso dhe Hakan Calhanoglu”.

“Shumë klube po kërkojnë ta marrin atë në formë huazimi, por Milani dëshiron ta shesë menjëherë në mënyrë që t’i kthejë paratë që ia kishte paguar Genoas para një viti dhe t’i investojë ato para në lojtarë të rinj”.

“Gjithçka do të vendoset në javët e fundit të afatit kalimtar, kur do të vendoset e ardhmja e tij”.