Visar Azemi nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka reaguar pasi që KESCO ka njoftuar se për ditën e sotme dhe një pjesë për ditën e nesërme ka importuar energji elektrike mbi 3.5 milionë euro.

Azemi ka thënë se Qeveria e Kosovës dhe KESCO kanë dështuar të sigurojnë një strategji afatgjate për energjinë.

Ai tutje ka thënë se pas katër vitesh qeverisje, akoma vazhdojnë importet e energjisë, që nuk kanë asnjë vlerë për zhvillimin afatgjatë të sistemit energjetik.

Ndër të tjera Azemi ka deklaruar se këto çmime të larta janë një ndëshkim për qytetarët dhe bizneset.

Postimi i plotë:

Qeveria e Kosovës dhe KESCO kanë dështuar të sigurojnë një strategji afatgjate për energjinë.

Pas katër vitesh qeverisje, akoma vazhdojnë importet e energjisë, që nuk kanë asnjë vlerë për zhvillimin afatgjatë të sistemit energjetik dhe duke e bërë energjinë elektrike të papërballueshme për qytetarët. Pyetja është: Kur do të investojmë në kapacitete të reja për prodhim të energjisë?

Këto çmime të larta janë një ndëshkim për qytetarët dhe bizneset, ndërsa qeveria vazhdon të mbajë qëndrime të pavendosura dhe të vonuara për të krijuar një sistem energjetik të qëndrueshëm dhe të sigurtë.

Ky është një dështim i politikave energjetike që ka sjellë përkeqësim të kushteve të jetesës dhe rrezikon stabilitetin ekonomik të vendit.

Sistemi energjetik është një shtyllë e rëndësishme për zhvillimin e Kosovës, dhe për këtë arsye, Qeveria e Kryeministrit Abdixhiku, pas datës 9 shkurt, do të veprojë urgjentisht duke investuar në kapacitete të reja gjeneruese për ta mbyllë ciklin e varësisë nga importet.

Ndryshe, do të vazhdojmë të jemi të varur nga faktorët e jashtëm, dhe do të përballemi me pasiguri të mëtejshme energjetike dhe rritje të çmimeve për qytetarët tanë.