AVONET

AVONET: Rritja e planifikuar e taksave gjyqësore nga KGJK-ja, do të rrezikojë sigurinë juridike të qytetarëve të Kosovës

Rrjeti i organizatave joqeveritare, AVONET përmes një komunikate drejtuar mediave shpreh shqetësimin e thellë në lidhje me Draftin e Udhëzimit Administrativ për Unifikimin e Taksave Gjyqësore, i cili është propozuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe gjatë periudhës prej 20.02.204 deri më 06.03.2024 ka qenë në diskutim publik.

AVONET thonë se “në këtë drejtim, me qëllim të dhënies së kontributit tonë, që gjithmonë për synim ka mbrojtjen e interesit të përgjithshëm të qytetarëve të Republikës së Kosovës, brenda afatit të caktuar kohor kemi dhënë komentet e tona”.

AVONET ka analizuar në tërësi aktin në fjalë, ku kemi vërejtur se me anë të këtij akti synohet të bëhet rritja e taksave gjyqësore, në kuptim të ngritjes së vlerave monetare për ushtrimin e “mjeteve juridike dhe ofrimit të shërbimeve nga organet e sistemit gjyqësor.

Tarifat e propozuara janë të jashtëzakonisht të larta dhe kjo nuk mund të neglizhohet. Nëse implementohen në formën e tyre aktuale, këto tarifa do të bëjnë që qasja në drejtësi të jetë e
pamundur për shumicën e qytetarëve tanë. Kjo është një shkelje e qartë e të drejtave themelore të njeriut dhe e parimeve themelore të drejtësisë së barabartë dhe si e tillë do cenojë rëndë sigurinë juridikë të qytetarëve të Kosovës”, thuhet në reagim.

Tutje, AVONET shton se “ne kemi kryer një analizë të shkurtë krahasuese me praktikat e vendeve të rajonit dhe standardet ndërkombëtare dhe kemi gjetur se tarifat e propozuara nga KGJK janë dukshëm më të larta, nëse krahasohet me vende të tjera në rajon”.

“AVONET vlerëson se taksat gjyqësore të larta krijojnë pengesa të mëdha për qytetarët për të kërkuar drejtësi dhe për të mbrojtur të drejtat e tyre nëpërmjet sistemit gjyqësor. Në një shoqëri
demokratike dhe me respekt për shtetin e së drejtës, qasja në drejtësi duhet të jetë e barabartë dhe e qasshme për të gjithë. Rritja potenciale e tarifave gjyqësore, do të bënte që kjo qasje të jetë e pamundur për ata individë (persona fizik apo juridik) me burime të kufizuara financiare, duke i lënë ata pa mbrojtje të duhur ligjore, rrjedhimisht duke i privuar nga e drejta për realizimin e të drejtave të tyre ligjore të garantuara me legjislacionin pozitiv në vendin tonë.

Prandaj, ne kërkojmë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës që të reflektoj dhe të rishikojë me kujdes draftin e propozuar për taksat gjyqësore. Ne kërkojmë që të merren parasysh komentet tona dhe të palëve të tjera me interes, në mënyrë që të sigurohen taksa të arsyeshme dhe të përballueshme për të gjithë qytetarët e Kosovës”, vijon reagimi.

Në fund, AVON thekson se besojnë se një sistem gjyqësor i drejtë dhe i efektshëm është thelbësor për funksionimin e shtetit të së drejtës.