Tenderi problematik

AVONET: “Sallahu” ka mashtruar, këto janë faktet që dëshmojnë se tenderi i Rrugës A nuk është dashur t’i jepet kësaj kompanie

Rrjeti i OJQ-ve AVONET shpreh përkrahjen e plotë ndaj Aktvendimit KA.nr.181/23 të datës 17.10.2023, të nxjerrë nga Vlora Pacolli Rexhepi, gjyqtare e Dhomës së Shkallës së Parë të Gjykatës Komerciale të Kosovës, me të cilin u shty ekzekutimi i vendimit PSh. nr. 144/23 i datës 19.04.2023, i nxjerrë nga i Organi Shqyrtues i Prokurimit, nga Vedat Poterqoi – Anëtar i OSHP-së.

Rrjeti i OJQ-ve AVONET vlerëson se ky aktvendim i shërben ruajtjes dhe garantimit të sigurisë juridike për të gjithë personat fizik dhe juridik nga ana e gjykatave të Republikës së Kosovës, kështu ka vlerësuar OJQ AVONET në një deklaratë për Ballkani.info pas vendimit për pezullimin e punimeve në Rrugën A në Prishtinë.

Po ashtu, në kë të deklaratë, AVONET shprehet i shqetësuar nga deklarimet publike të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, në lidhje me aktvendimin e Gjykatës Komerciale për rastin e Rrugës A.

“Kjo praktikë e tentimin për ndërhyrje në drejtësi është e rrezikshme sepse përmes këtyre deklaratave po cenohet pavarësia e sistemit gjyqësor të Republikës së Kosovës. Rrjeti i OJQ-ve AVONET ka përcjellë përmes kanaleve të informimit se Aktvendimi KA.nr.181/23 i datës 17.10.2023, i nxjerrë nga Vlora Pacolli Rexhepi, gjyqtare e Dhomës së Shkallës së Parë të Gjykatës Komerciale të Kosovës nuk është duke u zbatuar nga Komuna e Prishtinës, për faktin se ende nuk janë pezulluar punimet në rastin në fjalë. Andaj, i bëjmë thirrje Komunës së Prishtinës që urgjentisht të ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme me qëllim të zbatimit të Aktvendimit KA.nr.181/23 të Dhomës së Shkallës së Parë të Gjykatës Komerciale të Kosovës, sepse në të kundërtën po krijohen precedentë të rrezikshëm të cilët po rrezikojnë sigurinë juridike në vendin tonë”, thekson kjo organizatë.

Ata thonë se kanë monitoruar që nga dita e parë procesin e aktivitetit të prokurimit 616-22-7096-5-1-2 të zhvilluar nga Komuna e Prishtinës, në cilësinë e autoritetit kontraktues dhe për pasojë stafi i AVONET gjatë pjesës së parë të vitit ka pasur edhe takim me të parin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ku në këtë takim stafi i AVONET i ka shpjeguar z. Rama, se lidhja e kontratës me operatorin ekonomik (me të cilin tashmë ka lidhur kontratë Komuna e Prishtinës për kryerjen e punimeve në rrugën Xhim Xhema / Rruga A) është në kundërshtim të plotë me dispozitat e Ligjit të Prokurimit Publik.

“Përveç takimit zyrtar direkt me z. Rama gjatë zhvillimit të këtij aktiviteti të prokurimit, AVONET disa herë përmes komunikimeve zyrtare elektronike i ka përcjellë Komunës së Prishtinës, konkretisht z. Përparim Rama argumentet dhe provat të cilat dëshmojnë absolutisht se operatori ekonomik “Sallahu” Sh.p.k, nuk ka pasur të drejtë të marrë pjesë në aktivitetin e prokurimit 616-22-7096-5-1-2, për faktin se me Aktgjykimin PKR nr. 16/2018 të datës 30.03.2018 të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, z. Naim Sallahu është shpallur fajtorë për kryerjen e veprës penale nga neni 398, paragrafi 2 (Falsifikimi i Dokumentit Zyrtar), andaj sipas Ligjit NR. 04/L-042, për Prokurimin Publik në Republikën e Kosovës, nenit 65, paragrafit 3, operatorëve ekonomik ose drejtuesit, menaxherit apo drejtorit të tyre ju ndalohet pjesëmarrja në aktivitete të prokurimit publik apo edhe ekzekutimi i ndonjë kontrate publike për dhjetë (10) vite, në rastet kur shpallen fajtorë për vepra penale sipas legjislacionit penal pozitiv të Republikës së Kosovës”, thuhet tutje në deklaratën e AVONET-it për Ballkani.info.

AVONET gjatë hulumtimit kishte identifikuar se dokumentacioni (dosja) e ofertës së OE “Sallahu” në aktivitetin e prokurimit të projektit me titullin: “Ndërtimi i rrugës A – pjesa e parë” tregon qartë se z. Naim Sallahu është zyrtar i OE “Sallahu” Sh.p.k, duke figuruar në listat e pagave dhe deklarimeve vjetore për tatimin në të ardhurat e korporatave, dhe në noterizimin e certifikatës ISO dhe poashtu ai ishte prezent edhe në fillimet e punimeve në këtë rrugë.

“Gjatë hulumtimit të dokumenteve në dosjen e tenderit kemi identifikuar se në dosjen e tenderit ka kontrata të realizuara, referenca të inxhinierëve, udhëheqësit të punishtes, që mbajnë firmën e Naim Sallahut, këto kontrata dhe referenca kanë qenë kërkesa konkrete për të plotësuar kriteret e dosjes së tenderit në këtë aktivitet prokurimi, e që AVONET ka konsideruar dhe konsideron se këto dokumente kanë qenë bazë për të plotësuar kushtin e drejtës (kriterit) për të ofertuar. Gjithashtu, AVONET kishte njoftuar Komunën e Prishtinës, të udhëhequr nga z. Rama se përfaqësuesi i OE “Sallahu” Sh.p.k, z. Lulzim Sallahu ka nënshkruar deklaratën nën betim, në kundërshtim të plotë me gjendjen faktike, me anë të këtij deklarimin nën betim të nënshkruar nga drejtori i OE “Sallahu” Sh.p.k, Lulzim Sallahu, AVONET dyshonte dhe dyshon se subjekti në fjalë ka mashtruar Autoritetin Kontraktues në këtë rast Komunën e Prishtinës, duke vënë nën lajthitje dhe mashtrim, e që kjo sipas gjykimit të AVONET dëshmon në mënyrë të qartë se personi në fjalë ka konsumuar elementet veprave penale nga neni 415 (Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik) dhe nga neni Neni 383 (Deklarimi i rremë nën betim) i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në deklaratë.

AVONET kishte shprehur shqetësim për praktikat e tilla, të cilat krijojnë precedente jashtëzakonisht të dëmshme në fushën e prokurimit dhe kishte kërkuar veprime konkrete nga autoritetet relevante, Prokuroria e Shtetit dhe Policia e Kosovës për të ndërmarrë masa të nevojshme për të siguruar transparencën dhe integritetin e procesit të prokurimit publik në Kosovë, pasi me këto veprime dhe mosveprime nga ana e Zyrtarit Kryesor Administrativ të Komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama po dëmton taksat e qytetarëve të Komunës së Prishtinës dhe Republikës së Kosovës.

Gjykata Komerciale e Prishtinës para dy javësh ka vendosur që të pezullohet ndërtimi i Rrugës A, pas ankesës që e ka bërë kompania “Pro & CO Group” kundër operatorit ekonomik “Sallahu” i cili e kishte fituar tenderin milionësh.

Ballkani.info e kishte siguruar ekskluzivisht vendimin e Gjykatës Komerciale.

Vendimi i nxjerrë më 17 tetor thotë se “Gjykata po ashtu vlerësoi se shtyrja e ekzekutimit të vendimit dhe pezullimi i aktivitetit të prokurimit “Ndërtimi i Rrugës A – Pjesa e parë”, me numër të prokurimit 616-22-7096-5-1-2, iniciuar nga Autoriteti Kontraktues Komuna e Prishtinës, deri në shqyrtimin e pretendimeve të ngritura për shkeljet e pretenduara procedural është më se i duhur që të ruhet interesi publik”, saktëson vendimi i Komerciales të cilin e ka siguruara Ballkani.info.

“Kjo pasi Paneli Shqyrtues nuk është marrë fare me pretendimin kryesor të ngritur nga ankuesi që ka të bëjë me shkelje të nenit 65 të LPP-së nga AK, duke e shpërblyer me kontratë Operatorin Ekonomik Sallahu SHPK Drejtori i të cilës është i dënuar për veprën penale Falsifikim i Dokumentit Zyrtar”, thuhet në vendimin e Gjykatës Komerciale.

Kontratën e Rrugës A, që peshon 8.5 milionë euro e kishte fituar kompania nga Kaçaniku, “Sallahu SH.P.K“.

Pronari i kësaj kompanie zyrtarisht është Lulzim Sallahu, por mbrapa tij qëndron vëllau u tij, Naimi, që është i dënuar për mashtrim me prokurimin publik. /Ballkani.info/

LEXONI EDHE: